Neziri: eurointegrimi është ilaç për problemet në RMV

    Xhelal Neziri / Fotografia: Nistori

    Në mungesë të përparimit në procesin eurointegrues, Qeveria krijon ngjarje ose fokuson vëmendjen e saj dhe të opinionit publik në çështje tjera të brendshme, siç po ndodhin retorikat për ligjet, debatet për implementimin e ligjeve për përdorimin e gjuhëve, e me radhë, thotë analisti politik, Xhelal Neziri. Sipas tij, ekzekutivi e bën këtë lojë, me qëllim largimin nga çështja substanciale për vendin tonë, siç është integrimi në Bashkimin Evropian.

    Neziri është i mendimit se përfshirja e vendit në familjen evropiane do të mbyllte portën për shumicën e problemeve brenda shtetërore.

    “Ky integrim është përgjigje për të gjitha problemet që i debatojmë ne në rrafshin e brendshëm, edhe në kuptimin e zbatimit të ligjit, edhe në kuptimin e barazisë, individuale dhe kolektive, pra për të gjitha këto probleme, procesi integrues ka, do të thoja, ilaçet e veta. Ka ilaçe për shkak se nëpërmjet procesit të negociatave, vendi bëhet më i drejtë, administrata bëhet më efikase, gjyqësori më efikas, pra i gjithë sistemi politik fillon të funksionojë ngjashëm me ato të vendeve evropiane.”, – deklaroi analisti politik, Xhelal Neziri.

    Ndërkohë, pos defokusimit të brendshëm Neziri shton se kryeministri po ashtu shfrytëzon edhe përqendrimin e tanishëm të Bashkimit Evropian në luftërat dhe krizat energjetike në botë, për t’u distancuar për një kohë nga kursi politik evropian.

    “Sa i përket kryeministrit Hristijan Mickoski, ai e shfrytëzon mungesën e vëmendjes së Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit dhe ky është fakt se sidomos nga kriza në Lindjen e Mesme, lufta në Iran ka një shqetësim brenda Brukselit, i cili më pastaj e bën të jetë shumë më pak i fokusuar në Ballkanin Perëndimor, por edhe në vendet tjera aspirante, për të nxitur më tej zgjerimin, dhe kjo mungesë e fokusit të BE-së po shfrytëzohet nga kryeministri Mickoski për të imponuar tema ose dilema të brendshme.”, – theksoi analisti politik, Xhelal Neziri.

    Sipas Nezirit, përderisa ka mungesë të vëmendjes së Brukselit, e njëjta situatë ndodh edhe në shtëpinë legjislative, ku janë lënë anash ndryshimet kushtetuese, si kusht politik që i hap derën mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare me Komisionin Evropian dhe fillimit të grupkapitujve me Unionin. /RTM2/

    Lajmi Paraprak

    MJERË AI KOMB

    Lajmi i rradhës

    Po zbrazen shkollat fillore të Pollogut, mbi 50 mësimdhënës rrezikojnë të mbeten tepricë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë