Takimi i drejtorit dhe të punësuarve të Inspektoratit të Gjuhëve me përfaqësuesit e grupeve parlamentare përfundoi pa një zgjidhje konkrete lidhur me problemin e mosmarrjes së pagave. Ndryshimet në Ligjin për Inspektoratin e Gjuhëve janë aktualisht në Parlament, por janë bllokuar për shkak të mungesës së shumicës së Badenterit nga ana e mazhorancës. Për miratimin e tyre kërkohet mbështetja e Frontit Evropian, por opozita shqiptare refuzon të japë votën, me arsyetimin se propozimet e reja e zbehin pavarësinë juridike të institucionit.
Nga ana tjetër, përfaqësues të shumicës mohojnë që synohet mbyllja e Inspektoratit dhe u bëjnë thirrje deputetëve që fillimisht të miratojnë ndryshimet për të zhbllokuar pagesat, e më pas të zhvillohen diskutime për një zgjidhje afatgjatë.
Bekim Qoku, koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it i ftoi gjithë deputetët që të votojnë për miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, me qëllim që punonjësit e këtij institucioni të marrin pagat pas pesë muajve ngecje. Sipas Qokut, me ndryshimet ligjore, Inspektorati do të jetë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, por do të fuqizohet pasi do të ketë të drejtë për gjoba.
“Subjektiviteti i Inspektoratit mbetet në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ashtu siç mbeten të gjitha Inspektoratet me Ligjin për Riorganizimin Administrativ, që u votua me shumicën absolute, me 2/3, ku votuan edhe BDI. Për hir të këtij ndryshimi të riorganizimit administrativ, ky Inspektorat është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, siç janë inspektoratet e tjera pjesë e ministrive përkatëse. Thjesht duhet një vullnet i përbashkët, me Badenter ta votojmë këtë shpejtë e shpejtë edhe t’u kalojnë rrogat këtyre punonjësve. Inspektorati pas kësaj do të fuqizohet edhe më shumë, duke i dhënë edhe të drejtën për gjoba, që nuk e ka pasur deri tani”, tha Qoku.
Nga ana tjetër, Fronti Evropian vazhdon të kundërshtojë një vendim të tillë, që Inspektorati të kalojë nën kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë. Koordinatori i grupit parlamentar, Blerim Bexheti, pas takimit, tha se qëllimi i ndryshimeve ligjore nuk është që punonjësit të marrin rrogat, por të hiqet statusi juridik i Inspektoratit të Gjuhëve.
“Çështja nuk është vetëm tek problemi i rrogave, çështja është që të humbet statusi juridik i këtij Inspektorati që buron nga Ligji për Gjuhët, ku ne afirmojmë qëndrimin tonë që jemi të gatshëm të ndihmojmë që edhe kjo dilemë të hiqet, por edhe inspektorët të marrin rroga. Përgjegjësia tani i mbetet shumicës parlamentare që në një kombinim të ardhshëm, me një qasje pak më konstruktive nga të gjithë të pranishmit që të mos cenohet asgjë nga kompetencat për këtë inspektorat”, theksoi Bexheti.
Siç tha ai, ky Inspektorat buron nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i cili është “leg specialis”, ndërsa tha se pushteti po tenton të manipulojë opinionin duke thënë se fajin që të punësuarit në këtë institucion nuk po marrin rroga e ka Fronti Evropian.
“Për atë arsye, ne nuk jemi duke e votuar. Dhe nuk është e ndershme që të shantazhohen të punësuarit se këta nuk votojnë, prandaj ju nuk merrni rroga. Edhe gjatë miratimit të buxhetit, si organ i veçantë, nuk janë paraparë që të marrin rroga këta inspektorë dhe ky institucion, por u janë paraparë mjete diku tjetër, duke prejudikuar që do të votohet. Nuk është ashtu, buxheti planifikohet në bazë të organeve ekzistuese. Dhe normalisht, nuk do ta kenë mbështetjen tonë për një çështje ligjore që do ta heq statusin juridik, ne jemi të interesuar t’i avancojmë çështjet”, theksoi Bexheti.
VMRO-DPMNE ndërkohë konsideron se problemi është politik, e jo juridik. Koordinatori i grupit parlamentar të kësaj partie, Nikolla Micevski theksoi se tejkalimi i problemit me rrogat është shumë e thjeshtë dhe e shpejtë.
“Nëse sot e vazhdojmë seancën e 47-të, në të cilën duhet Badenter i vogël, përkatësisht Badenter nga deputetët prezentë të komuniteteve joshumicë, do të jemi në gjendje të tejkalojmë problemin financiar, ndërsa pastaj në kuadër të asaj se çfarë diskutuam – është të formohet një Agjenci në të cilën do të hyjnë edhe Inspektoratet për Gjuhët, edhe ai për gjuhën shqipe edhe ai për gjuhën maqedonase. Megjithatë, shihet se dikujt i konvenon të vazhdojë kaosi, përkatësisht ta politizojë këtë çështje, duke e lidhur me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, që nuk ka aspak lidhje me zgjidhjen e problemit që gjendet njerëzit e Inspektoratit”, tha Miceski.
Megjithatë, Miceski thekson se zgjidhja e këtij problemi është në dy faza, e para të votohet Ligji i propozuar nga ato, ndërsa faza e dytë është ajo politike, ku partitë do të ulen dhe do të bisedojnë në lidhje me formatin që do ta merr Agjencia në të cilën do të inkorporohen, siç tha, inspektoratet e gjuhëve.
LSDM vlerëson se ky problem, burimin e ka te ndryshimet ligjore për riorganizim të organeve shtetërore. Koordinatori Oliver Spasovski tha se kjo parti do të përkrahë çdo mënyrë që do tu mundësonte punonjësve të marrin paga.
“Gjatë debatit kemi theksuar se ekzistojnë një sërë çështjesh të pakuptimta, të palogjikshme, të cilat do të ndikojnë deri te probleme të caktuara. Dhe sot e kemi këtë problem, nuk është i vetmi. Kemi pasur problem edhe me Agjencinë për Sport dhe të Rinj, kemi pasur problem me institucione tjera, për shkak të dëshirës që disa gjëra të bëhen shpejt e shpejt apo ligjet të sillen në mënyrë të shpejtë, të cilat mendoj se duhet mirë të ulemi dhe të mendojmë”, theksoi koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Oliver Spasovksi.
Ai tha se presin që të gjendjet një zgjidhje ligjore. Spasovski tha se presin nga qeveria të gjejë mënyrë për ti flokuar mjete financiare në mënyrë që punonjësit të marrin pagat e tyre.
Përndryshe, punonjësit në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhës, që nga muaji mars nuk kanë marrë pagat e tyre. /Koha/