Gjashtë seanca të anuluara për tragjedinë në Tetovë | Familjarët: Kush mba përgjegjësi për 14 shpirtrat e të vdekurve! (Video)

    Sot në Gjykatën Themelore në Tetovë para se të mbahet seanca e gjashtë gjyqësore për të akuzuarit në tragjedinë në ish-spitalin modular në Tetovë, familjarët e viktimave kanë kërkuar drejtësi. Sipas tyre, edhe pse nuk besojnë në sistemin gjyqësor, por shpresojnë që gjykimi të ketë epilog të drejtë, raporton Nistori.

    “Ne familjarët e viktimave, jemi mbledhur këtu për të parë si funksionon drejtësia e këtij shteti, por siç shihet drejtësi nuk ka. Akuzohen njerëz që duhet të akuzohen, por ka edhe të tjerë që duhet të akuzohen. Sipas nesh duhet të jetë këtu edhe ish-minsitri edhe shumë të tjerë pas atij. Është një zinxhirë shumë i gjatë i të akuzuarve. I kanë zgjedhë tre persona, seancat gjyqësore anulohen vazhdimisht. Ne si familjarë kemi ardhur për të dëshmuar se çfarë ka ndodhur në atë spital.” – deklaroi Mumin Ismaili, djali i cili e humbi nënën në natën tragjike.

    Sipas tij, ata do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi edhe pse nuk i besojnë sistemit gjyqësor, kjo duke marrë parasysh edhe rastet tjera të ashtuquajtura të montuara. Familjarët nuk i kanë humbur shpresat, madje do të kërkojnë hetim ndërkombëtar.

    Nga ana tjetër edhe Ibin Emshi – familjari i cili humbi babain dhe vëllaun përderisa trajtoheshin në Kovid qendrën në Tetovë tha se a ka nevojë hetim ndërkombëtar përderisa kemi faktin se spitali u dogj për tre minuta.

    “Sipas këtij shteti, a ka nevojë për hetim ndërkombëtar kur një spital digjet për tre minuta, kurse drurin po e fute në zjarr nuk digjet për tre minuta. Këtu nuk ka edhe logjikë për të kërkuar hetim ndërkombëtar. Për tre minuta u bë shkrumb spitali. Drejtësia këtu është zero. Një vit e gjysmë po përgatitet lënda, pse anulohen seancat gjyqësore, dëmi është bërë, ndërkaq përgjegjësit shëtiten në liri. Kush do të marrë përgjegjësi për këto 14 shpirtëra” – pyeti Emshiu, familjar i dy viktimave.

    Edhe pse familjarët e viktimave ishin të pranishëm në seancë për të dëshmuar në Gjykatën Themelore të Tetovës, seanca u anulua përsëri për shkak se i akuzuari ish-drejtori ekonomik i spitalit të Tetovës Artan Etemi nuk ishte i pranishëm, sepse ka pasur rast vdekje dhe nuk është në gjendje të mirë psiko-emocionale. Seanca e radhës pritet të mbahet më 31 janar.

    Ndryshe, një grup njerëzish kishin dalë për të mbështetur të akuzuarin doktor Boban Vuvçeski, me arsyetimin se ai nuk është fajtor dhe përgjegjës për tragjedinë e 8 shtatorit 2021.

    Çfarë ndodhi në seancat e kaluara gjyqësore?

    SEANCA I

    SPITALI MODULAR | Besimi: I besoj sistemit gjyqësor, e vërteta do të dëshmohet

    Sot (06.09.2022) në Gjykatën Themelore në Tetovë filloi gjykimi për lëndën K nr. 450/22, gjegjësisht për djegien e spitalit modular. Seanca përsëri u shty për më 14 tetor, pasi mungonin dy nga gjithsej tre të akuzuarit. Në seancën gjyqësore, i pranishëm ishte vetëm i akuzuari Florin Besimi, ish-drejtor në Spitalin e Tetovës, raporton Nistori.

    “Të gjithë atë çka kam ta them për këtë proces gjyqësor të rastit tragjik, do ta them para gjykatës. Ju lus juve që të përcjellni këtë rast për shkak se unë personalisht besoj në sisitemin gjyqësorë dhe jam i bindshëm se e vërteta do të dëshmohet”, deklaroi para mediumeve Florin Besimi ish-drejtor i Spitalit të Tetovës.

    Besimi kërkoi nga gazetarët që të jenë të vëmendshëm dhe të kenë durim deri në fillimin e procesit gjyqësorë sepse ai është i bindur se do me fakte dhe argumente do të dëshmohet e vërteta.

    SEANCA II

    Besimi: Me faktet që i posedoj, do ta dëshmoj pafajësinë time

    Sot u anulua për së dyti herë seanca gjyqësore për vdekjen e 14 pacientëve në rastin tragjik në spitalin modular të Tetovës, të cilët po trajtoheshin nga Covid-19. Arsyeja e e anulimit ishte se dy të akuzuarit, Boban Vuçevski (mjek) dhe Artan Etemi (ish-drejtor ekonomik i Spitalit të Tetovës), gjë për të cilën nuk ishin të njohur se duhej të kishin avokat mbrojtës, shkruan Nistori.

    Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi i akuzuar për djegien e spitalit modular në Tetovë sot para medias deklaroi se, pafajësinë e tij do ta dëshmojë kur të fillojë gjykimi.

    “Ju lus që të përcjellni këtë proces gjyqësor, pasi që unë besoj se me faktet të cilët do të vërtetohen, do të dëshmoj pafajësinë time për këtë proces për këtë ngjarje tragjike. Për këtë ka dëshmi të pakontestueshme, të cilat gjatë procesit gjyqësor do t’i shpalosim. Andaj shpresoj se, së shpjeti do të fillojë ky proces gjyqësor dhe do të mbarojë.” – deklaroi Besimi.

    E vërteta është se në rastin tragjik kanë vdekur 14 pacientë të prekur nga Covid-19. I pyetur nga Nistori se çfarë të vërtete pret ai që të vërtetohet për 14 të vdekurit në spitalin modular të Tetovës më 8 shtator të vitit 2021. Ai tha se të gjithë dëshmitë do të shpalosen para gjyqit.

    “Ju thash që ta përcillni procesin gjyqësor dhe gjithçka që kemi dhe këto dëshmitë e pakontestuara do t’i përcjellim atje.” – shtoi Besimi.

    Ndryshe, Vuçevski dhe Etemi nuk pritën të përgjigjen para medias dhe menjëherë u larguan nga hapësirat e Gjykatës së Tetovës.

    Seanca e parë u shty, sepse mungonin dy të akuzuarit: Etemi dhe Vuçevski, ndërsa i pranishëm ishte vetëm ish-drejtori Besimi.

    Gjykatësi i cili udhëheq me lëndën, Jordan Velkovski, e caktoi seancën e radhës për me 8 nëntor 2020 në ora 10:00.

    Pas rastit tragjik u dorëheqje si akt moral dhanë drejtori i Spitalit të Qytetit, Florin Besimi, drejtori ekonomik, Artan Etemi dhe zëvendësministri i ministrisë së Shëndetësisë, por Qeveria nuk pranoi largimin e Venko Filipçes i cili aso kohe drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

    Piramida e përgjegjësisë nga ana e organit të akuzës është ndarë në përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë. /Nistori/

    SEANCA III

    Përsëri anulohet seanca gjyqësore për spitalin modular, Besimi: Mezi pres të dëshmojë pafajësinë time të pakontestueshme

    Është anuluar seanca e tretë gjyqësore për tragjedinë në spitalin modular, sepse mungonte avokati i të akuzuarit Boban Vuçeski, ndërsa gjykatësi që udhëheq lëndën, Jordan Velkovski e paralajmëroi të akuzuarin Vuçevski, se seanca e ardhshme do të zhvillohet pa avokatin e tij, nëse një gjë e këtillë përsëritet, shkruan Nistori.

    Pas mbarimit të seancës pritej të prononcoheshin të akuzuarit, por mjeku Vuçeski dhe ish-drejtori ekonomik i spitalit të Tetovës, Artan Etemi u larguan me shpejtësi nga mediat. Ndërkohë, Besimi tha se mezi pret të fillojë gjykimi dhe të dëshmojë pafajësinë e tij.

    “Mua nuk më mbetet asgjë tjetër, përveç se atë që e kam thënë më herët, dëshira ime e vetme është që ky proces të filloj sa më shpejtë, që të më jepet mundësia të dëshmoj pafajësinë time të pakontestueshme në procesin gjyqësor dhe për atë të njoftohet edhe opinioni publik”, deklaroi Florin Besimi.

    Seanca e ardhshme u caktua më 7 dhjetor 2022 në ora 10:00. Kjo është seanca e tretë që anulohet, sepse dy të akuzuarit Boban Vuçevski (mjek) dhe Artan Etemi (ish-drejtor ekonomik i Spitalit të Tetovës), nuk ishin të njohur se duhej të kishin avokat mbrojtës.

    SEANCA IV

    Anulohet seanca e katërt gjyqësore për spitalin modular, Besimi: Dëshmitë do ta vërtetojnë pafajësinë time

    Edhe seanca e katërt gjyqësore për zjarrin në spitalin modular të Tetovës u shty për shkak të reagimit të avokatëve mbrojtës, sepse ata kërkonin nga Prokuroria Publike që materialet që dëshmojnë për rastin duhet të sqarohen në detaje – dëshmitë të përmbajnë formën e kërkuar, raporton Nistori.

    Për një gjë të tillë është pajtuar edhe prokurori publik duke e konsideruar se është në interes të procedurës penale, pas së cilës gjykata e ka shtyrë atë. Afati u rregullua me kërkesë të palëve.

    Nga ana tjetër i akuzuari dhe njëherit ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi për Nistori e ka përshëndetur fillimin e procesit gjyqësor për tragjedinë në spitalin modular. Ai nuk e pranon akuzën dhe se do ta dëshmojë pafajësinë e tij.

    “Ky fillim i procesit për mua është shumë i rëndësishëm dhe kjo do të thotë mundësi për dëshmimin e pafajësisë time lidhur me këtë rast tragjik! Ajo çka pres nga ky proces gjyqësor është mundësimi i paraqitjes së të gjitha dëshmive materiale, por dhe dëshmitarëve të cilat pa asnjë dyshim do të vërtetojnë pafajësinë time.” – deklaron Besimi.

    Seanca e ardhshme për fatkeqësinë në spitalin modular do të mbahet më 27 dhjetor të këtij viti.

    SEANCA V

    Prokuroria i prezantoi provat kundër të akuzuarve për zjarrin në Spitalin Modular, avokatët i kontestuan

    Seancën e pestë, të mbajtur me 27 dhjetor Prokuroria Publike e Tetovës i prezantoi titujt e provave të shkruara të cilat janë të përfshira në aktakuzën e dorëzuar në gjykatë. Avokatët e të akuzuarve kërkuan që përveç leximit të titujve të sqarohen edhe provat e ofruara, ata theksuan se në listën e dëshmive mungojnë tituj si dhe disa nga to janë me mangësi. Pas paraqitjes së provave të shkruara, gjykatësi e shtyu seancën kryesore të vazhdojë me 16 janar. Në seancë nuk ishin të pranishëm dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria. Seancën e radhës pritej që dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria të dëshmojnë gojarisht.

    Kush akuzohet?

    Në zjarrin vdekjeprurës që kaploi spitalin modular për Covid-19 në Tetovë, më 8 shtator 2021 humbën jetën 14 persona tetë gra dhe gjashtë burra të moshës 29 deri 78 vjeç. 2 pacientë të tjerë mrekullisht shpëtuan, bashkë me dy mjekë dhe katër infermiere.

    Pas tragjedisë, dy drejtorët e spitalit në Tetovë, Florin Besimi dhe Artan Etemi dhanë dorëheqje nga postet e tyre. Të njejtën gjë më pas e bënë edhe ministri i Shëndetësisë dhe zëvendësi i tij Venko Filipçe dhe Ilir Hasani, dorëheqjet e të cilëve nuk u pranuan nga kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev.

    Ish-drejtori i përgjithshëm i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe përgjegjësi për spitalin modular, Boban Vuçevski, janë të akuzuar në këtë rast. Gjykatësi i cili udhëheq këtë lëndë është Jordan Velkovski.

    Ata akuzohen për veprat penale: “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë trashëgojnë fëmijët nga baballarët e tyre?

    Lajmi i rradhës

    Forumi Ekonomik Botëror në Davos në kohë multi-krizash

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë