Edhe pse Liqeni i Dibrës si akumulacion artificial daton nga fundi i viteve të 60-ta, deri para disa viteve kurë nuk ka ndodhur që në bregun e tij të ketë mijëra guaska të ngordhura. Për fat të keq, kjo dukuri po përsëritet tre vitet e fundit, dhe paraqet një shqetësim të madh kur është në pyetje ekosistemi i liqenit.
Sipas shoqatave ekologjike, por edhe të dibranëve, dukuria është tejet shqetësuese meqë përsëritet tre vitet e fundit dhe kurrë më parë nuk ka qenë e pranishme. Përsëritja e kësaj dukurie është për shkak të uljes minimale të nivelit të liqenit të Dibrës, thonë përfaqësues të shoqatës të ekologëve, por edhe peshkatarëve sportive. Shoqata e peshkatarëve sportiv “Trofta” një kohë të gjatë reagon për shkak të nivelit tejet të ulët të ujit, por deri tani nuk ka përmirësim të situatës. Kryetari i kësaj shoqate, Beli Haliti, për gazetën Koha thotë se niveli minimal drejtpërdrejt po ndikon negativisht në florën dhe faunën në Liqenin e Dibrës.
“Ja, kemi përsëri ngordhje masive të guaskave. Bregu i liqenit është përplot me guaska të ngordhura. Kjo dukuri është një argument i fuqishëm për situatën në të cilën ndodhet flora dhe fauna në ujërat e Liqenit. Kjo situate flet qartë për një katastrofë ekologjike të liqenit të Dibrës. Shoqata ‘Trofta’ në kontinuitet reagon, por askush nuk ndërmerr ndonjë aktivitetet për të mbrojtur nivelin e nevojshëm të liqenit, i cili do të garantojë një jetë normale në florën dhe faunën”, thotë Haliti.
Kjo shoqatë në kontinuitet mban mbledhje të Kryesisë dhe me shqetësime paraqet problemet që ka liqeni i Dibrës. Shoqata në fjalë ka theksuar se e ka të qartë faktin se liqeni prioritet e ka prodhimin e energjisë elektrike në Hidrocentralin “Spilje”, por njëkohësisht ELEM duhet ta ketë parasysh edhe minimumin e garantuar. Ulja maksimale e nivelit rrit temperaturën e ujit të liqenit dhe ndodh që ngordhja e guaskave të paraqitet dhe sidomos viteve të fundit me dimensione tejet shqetësuese.
Një nga anëtarët më të vjetër të shoqatës së peshkatarëve sportiv, Nderim Sela, tregon se kurrë më parë situata me guaskat nuk ka qenë e këtillë. Shqetësimi tek ai si peshkatar sportive është i madh, meqë situata flet qarët se kemi problem të madh me ekosistemin e liqenit.
“Problemi për ngordhjen e guaskave ndodhë për shkak të nivelit shumë të ulët të ujit në liqen. Uji është tërhequr afër 150 metra”, thonë përfaqësues të Njësisë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave në Dibër. Reagime ka edhe nga shoqatat të tjera qytetare, meqë problemet në ekosistem ndikojnë në shtyllën kryesore për zhvillimin e turizmit në Komunën e Dibrës. Nga ana tjetër, qëndrimi i përfaqësuesve të Hidrocentralit “Spilje”, i cili është pjesë e sistemit të Hidrocentraleve të Drinit të Zi, por edhe të Elektro Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, vazhdojnë të arsyetohen se edhe përkundrejt nevojës për prodhimtarin e rrymës elektrike, megjithatë po respektohet minimumi i nivelit të ujit.