Ngushtica e Hormuzit – Çfarë është dhe pse ka rëndësi?

    Ligjvënësit iranianë kanë mbështetur thirrjet për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit – një rrugë tregtare jetike për botën, nëpër të cilën kalon mbi një e pesta e furnizimit global me naftë çdo ditë.

    Teherani ka kërcënuar edhe më parë me një veprim të tillë, i cili do të kufizonte tregtinë dhe do të ndikonte ndjeshëm në çmimet globale të naftës, por nuk e ka vënë asnjëherë në zbatim.

    Megjithëse duket se ekziston një konsensus në parlamentin iranian për mbylljen e ngushticës, vendimi përfundimtar i takon Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare.

    Përveç Iranit, edhe Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku varen nga kjo rrugë e ngushtë ujore për të eksportuar naftën e tyre drejt Kinës dhe tregjeve të tjera ndërkombëtare.

    Ngushtica ndodhet mes Omanit dhe Iranit, duke lidhur Gjirin Persik në veri me Gjirin e Omanit në jug dhe më tej me Detin Arabik.

    Në pikën më të ngushtë, ajo ka një gjerësi prej 33 kilometrash, ndërsa korridori i lundrimit për anijet është vetëm 3 kilometra i gjerë.

    Si anëtar i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), Irani prodhon rreth 3.3 milionë fuçi naftë në ditë dhe eksporton mbi 2 milionë fuçi naftë dhe karburant çdo ditë.

    Mbyllja e ngushticës do t’i jepte Teheranit një mjet të drejtpërdrejtë presioni ndaj Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar një rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës – e cila me gjasë do të nxiste inflacionin, si në SHBA, ashtu edhe globalisht.

    Megjithatë, një veprim i tillë do të përbënte gjithashtu një akt të rëndë të vetësabotimit ekonomik.

    Edhe Irani varet nga e njëjta rrugë për eksportet e veta të naftës, dhe një bllokadë e tillë mund të nxiste vendet arabe të Gjirit – pavarësisht kritikave ndaj sulmit izraelit – të ndërhyjnë për të mbrojtur interesat e tyre strategjike dhe ekonomike. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Truproja e Mickoskit nën aktakuzë – Prokuroria hesht për skandalin në opinion

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë