Nis peticioni për projektligjin për parandalimin e vetëvrasjes në Kosovë

    Disa organizata të shoqërisë civile kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion përmes së cilit do të kërkohet hartimi i një projektligji për parandalimin e vetëvrasjes në Kosovë.

    Peticioni ka nisur të hënën, më 29 prill, në qendër të Prishtinës, ndërsa nënshkrimet përveç aty, do të mblidhen edhe në Pejë, Prizren dhe Gjakovë.

    Në emër të organizatave, Bind Skeja tha se po kërkojnë një projektligj i cili do të përfshinte, ndër të tjera, shërbime klinike për parandalim të vetëvrasjes, integrim të parandalimit të vetëvrasjes në objektiva institucionale dhe mekanizma për ngritje të profesionalizmit të mediave gjatë raportimit të vetvrasjes.

    Gjithashtu, shtoi ai, projektligji duhet të përfshijë shërbime dhe mbështetje sociale – jo klinike – për persona me mendime të vetëvrasjes, mekanizma për reduktimin e qasjes në mjete vet-lënduese, programe specifike për komunitete jo shumicë dhe mekanizma për mbledhjen e të dhënave të vetëvrasjes.

    Skeja tha se niveli institucional nuk ofron asnjë shërbim për parandalim të vetëvrasjes.

    “E vetmja që ofrohet janë disa ditë të mbyllur në psikiatri për trajtim pa vullnet gjë që OKB e cilëson si shkelje e të drejtave të njeriut”, tha ai.

    Që nga viti 2019 funksionon “Linja e Jetës” – qendër telefonike vullnetare në Kosovë që ofron ndihmë për personat që kanë mendime për vetëvrasje, apo që vuajnë nga depresioni apo ankthi.

    Të gjitha të dhënat e telefonuesve mbesin konfidenciale.

    Inicimi i këtij peticioni vjen duke u bazuar në Ligjin për nisma legjislative, sipas së cilit përvec presidentit, deputetëve dhe qeverisë, edhe qytetarët me të drejtë vote kanë të drejtë për nismë legjislative.

    Për të qenë i vlefshëm peticioni, ai duhet të nënshkruhet nga së paku 10.000 qytetarë.

    “Jemi të bindur që me këtë peticion jemi duke filluar një proces të pakthyeshëm të shërimit të plagëve tona komunitare”, tha Skeja. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Turistët nuk qëndrojnë më shumë se 1.9 netë në RMV

    Lajmi i rradhës

    ASK: Serbët në veri rezistojnë të regjistrohen, por jo edhe ata në jug

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë