Niveli i strehimit të kafshëve të rrugës në RMV mbetet dëshpërues

    Shënimi i Ditës Botërore të Kafshëve (4 tetori) bëhet me qëllim përmirësimin e standardeve për mirëqenien e kafshëve. Por, përderisa një lëvizje botërore synon krijimin e një bote në të cilën kafshët gjithmonë do të njihen si qenie me ndjenja dhe ku gjithmonë do i kushtohet kujdes mirëqenies së tyre, situata tek ne është dëshpëruese, njofton Meta.mk

    Rrugët e Shkupit, por edhe të qyteteve të tjera janë të mbushura me mace dhe qen të braktisur, dhe edhe pse në Ligjin për Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Kafshëve janë paraparë dënime për braktisjen e kafshëve shtëpiake, përsëri identifikimi i personave që i braktisin kafshët shtëpiake është mjaft i vështirë. Në rrjetet sociale vazhdimisht ka postime të personave që kanë gjetur një kafshë të braktisur, shpesh ndodh që ajo kafshë të ketë lindur këlyshë ose kotele dhe kërkojnë ndihmë për t’i shpëtuar. Megjithatë, kryerësit e veprave të tilla apo të ngjashme rrallë herë raportohen në institucionet kompetente.

    Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për Meta.mk thonë se në rastet kur braktisësit e kafshëve shtëpiake kapen dhe identifikohen, atëherë dënimi për veprën është si për kundërvajtje. Dënimi për braktisjen e kafshës shtëpiake për një person juridik është 500 euro në kundërvlerë në denarë dhe 30 përqind e gjobës së paraparë për drejtorin e ndërmarrjes. Për personat fizik gjobat për braktisjen e kafshës shtëpiake sillen nga 50 deri në 75 euro në kundërvlerë në denarë.

    Mirëpo, sipas të dhënave të AUV-së, vitin e kaluar nga qytetarët janë dorëzuar vetëm katër parashtresa për braktisje të kafshëve shtëpiake.

    “Një prej parashtresave u refuzua si e pabazë dhe mbi 3 të tjera është vepruar. Shërbimet e inspektimit kanë bërë kontroll dhe janë dënuar autorët”, konfirmuan nga AUV.

    Edhe këtë vit numri i rasteve të raportuara të braktisjes së kafshëve shtëpiake është i vogël krahasuar me ato qindra postime në grupet për kafshët shtëpiake në Facebook. Pranë AUV-së nga qytetarët janë dorëzuar dy parashtresa për braktisjen e kafshëve shtëpiake. Prej tyre, një është refuzuar si e pabazë dhe për një është vepruar dhe kryerësi i veprës është dënuar sipas Ligjit për Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Kafshëve.

    Numri i saktë kafshëve të rrugës në kryeqytet dhe më gjerë nuk dihet sepse as NP Llajka, ndërmarrje publike kjo e themeluar nga Qyteti i Shkupit që kryen aktivitete me interes të veçantë publik për trajtimin human të qenve të rrugës dhe ngritjen e një sistemi të kontrollit të numrit ë qenve, e as AUV nuk kanë të dhëna të sakta dhe nuk e dinë përqindjen e rritjes së numrit të kafshëve shtëpiake të braktisura në vendin tonë.

    “Është e vështirë të përcaktohet nëse një qen që nuk ka mikroçip dhe gjendet në rrugë, ka qenë apo jo një kafshë shtëpiake. Sterilizimi i kafshëve shtëpiake që mbahen në shtëpi nuk është i detyrueshëm, por është një nga bazat e pronësisë së përgjegjshme. Një nga qëllimet strategjike të AUV-së është miratimi i Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Mirëqenien e Kafshëve, i cili rregullon ruajtjen e kafshëve shtëpiake me aftësi riprodhuese. Ndryshimet parashikojnë edhe regjistrimin e kultivuesve të kafshëve shtëpiake, gjë që do të kontribuojë ndjeshëm në vendosjen e kontrollit mbi shtimin e pakontrolluar”, thonë nga AUV.

    Radmilla Pesheva, e cila që nga fundi i muajit shtator është drejtoreshë e re e NP Llajka, thotë se problemi me kafshët e rrugës nuk është diçka e re dhe se do nevojitet më shumë kohë për të pasur qytete pa qen rruge. Sipas saj një detyrim ligjor duhet të jetë edhe shëtitja e kafshëve, pra të jetë e detyrueshme shëtitja e tyre me zinxhir për t’i parandaluar sulmet apo shumimin e paplanifikuar.

    Sipas shpenzimeve të planifikuara për ushqim dhe materiale mjekësore për qentë, për këtë vit për NP Llajka janë planifikuar 7.530.445 denarë ose rreth 120.000 euro. Llajka kap vetëm qen të rritur, të cilët i sterilizon/kastron dhe më pas, nëse nuk ristrehohen i kthen në vendin ku janë kapur. Por shumë qytetarë ankohen se qentë e kthyer janë grupuar në tufa dhe sulmojnë për të mbrojtur territorin apo për shkak të ndonjë provokimi.

    Në polici pothuajse çdo ditë raportohen kafshime nga qentë, si dhe ndodh që të sulmohen personat që përdorin pajisje ortopedike sepse patericat mund t’u duken si shkop. Megjithatë, sipas Peshevës, kjo qendër nuk ka mundësi t’i mbajë këta qen për një kohë më të gjatë.

    “Kjo qendër ka burime financiare jashtëzakonisht të kufizuara. Në Shkup, nuk e di sa është numri i saktë i qenve, le të themi pak a shumë rreth tre mijë. Sipas një formule nëse Shkupi ka 600 mijë njerëz, atëherë ka 6000 qen rrugësh. Por, ja, të themi se janë 3000 dhe nëse i staciononim të gjithë do të na duhej një euro në ditë vetëm për ushqim për secilin prej tyre, që do të thotë 3000 euro në ditë dhe një funksionim i tillë nuk është i qëndrueshëm”, thotë Pesheva.

    Ajo theksoi se nëse nuk do të ishin organizatat civile dhe аktivistët që adaptojnë kafshë brenda dhe jashtë vendit, situata do të ishte edhe më dramatike dhe nëpër rrugë do të kishte edhe më shumë qen.

    AUV është e mendimit se shoqatat për mbrojtjen e kafshëve përfaqësojnë një hallkë të rëndësishme dhe mund të kontribuojnë shumë në trajtimin e problemit dhe kontrollin e numrit të kafshëve të rrugës.

    Mirëpo këto shoqata dhe aktivistë shpëtimin e shohin tek ndërmarrja e qytetit, e cila financohet nga buxheti i komunës dhe tek institucionet shtetërore të cilat financohen nga buxheti i shtetit. Aktivistët shpesh detyrohen që të paguajnë vetë për shërbimet veterinare për operacione dhe për trajtime mjekësore afatgjata. Ata gjithashtu paguajnë për pansione dhe blejnë ushqim për qentë e rrugës. Ka edhe nga ata që me pak para bëjnë strehimore të ngrohta për macet e rrugës, si dhe fushata edukative me eksperimente shoqërore.

    Një nga ato që kujdeset për një numër të madh mace rrugësh është “Angelcats Sanctuary“. Ata, javën që shkoi, nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Menaxhimin e Ujërave, Koordinatorët e Grupeve Parlamentare, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe nga Qeveria, kërkuan që të ndryshojë dhe plotësojë Ligjin për Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Kafshëve.

    Për të menaxhuar numrin e madh të maceve në vend, i cili siç thonë nga Angelcats Sanctuaries, prej dekadash po bëhet në mënyrë çnjerëzore, propozojnë njohjen ligjore dhe rregullimin e standardeve minimale për mbrojtjen dhe mirëqenien e maceve si kafshë shtëpiake dhe si kafshë rruge.

    “Zgjidhjet aktuale ligjore e injorojnë problemin e mbipopullimit të maceve të rrugës, si dhe pronësinë dhe shitjen e parregullt të maceve. E nevojshme është edhe që Republika e Maqedonisë së Veriut të mundësojë sterilizimin falas të maceve të rrugës dhe të urdhërojë sterilizimin e maceve shtëpiake. Termi kafshë shtëpiake duhet të ndryshohet dhe të përfshijë qentë dhe macet; termi kafshë rruge duhet të ndryshohet dhe të përfshijë qentë dhe macet. Trajtimi i maceve të jetë i barabartë me trajtimin e qenve”, kërkojnë nga Angelcats Sanctuaries.

    Lajmi Paraprak

    Të rinjtë në RMV shpërfillen nga komunat – Ligji për Pjesëmarrje Rinore po zbatohet me vështirësi (Infografik)

    Lajmi i rradhës

    Tre shkencëtarë ndajnë Çmimin Nobel për Kimi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë