NJË DEKADË, ASNJË FABRIKË!

    Zona ekonomike në Dibër deri në këtë moment nuk ia ka arrit qëllimit. Në këtë lokacion që më parë ishte kazerma ushtarake e ARM-së nuk është ndërtuar asnjë objekt prodhues edhe pse me programin të pushtetit vendor para më shumë se 10 viteve ishin paraparë ndërtime të fabrikave. Kaluan shumë vite dhe asnjë investitor qoftë i vendit apo nga jashtë, nuk ka shpreh interes të investojë në këtë zonë edhe pse zona posedon të gjitha kushtet infrastrukturore. Përveç ndërtimit të disa punëtorive dhe lokacioneve boshe, sot tjetër gjë nuk mund të shihet në këtë zonë. Pikërisht kjo situatë shpesh herë diskutohet brenda qytetarëve dibran.

    Edhe në seancën e fundit të Këshillit që u mbajt këto ditë, zona ekonomike e Dibrës ishte në qendër të debatit. Këshilltarët të opozitës kanë kërkuar shpjegime nga udhheqësia aktuale e pushtetit vendor për situatën, siç thanë, të mjerueshme që mbisundon në zonën ekonomike. “Është një territor dhe jo zonë ekonomike, meqë atje nuk ka asgjë që ka të bëjë me ekonominë. Është një dështim i plotë i zonës që do të thotë dështim edhe i pushteteve vendore që kanë udhëhequr Dibrën dekadën e fundit. Patjetër pushteti vendor duhet të ndërmerr aktivitete që të gjejë investitor me qëllim që në zonën ekonomike të ndërtohen fabrika ashtu siç është paraparë, me çka do të rritet numri i të punësuarve në qytet”, theksoi këshilltari nga opozita, Shkëlqim Xhafa. Poashtu ai shtoi se në këtë zonë janë ndërtuar vetëm disa objekte- punëtori, gjë që nuk mund të themi se është zonë ekonomike.

    Poashtu në debatin e këshillit mendime dhanë edhe këshilltarë të tjerë mes të cilëve edhe Emin Vërzivolli cili potencoi se janë ndërtuar disa garazhe por jo edhe fabrika. Në lidhje me këtë problem sqarime dha kryetari i komunës Hekuran Duka. Ai potencoi se në mandatin e tij ka patur shumë kontakte me investitorë. Interesim ka patur dhe vazhdon të ketë por kriza e pandemisë dhe kriza ekonomike janë një barrierë për investitorët. Ai tha se janë bërë analiza të thella ekonomike me përkrahje edhe të Agjencionit Amerikan për zhvillim ndërkombëtar- USAID, për zhvillim ekonomik lokal. “Kemi ndërmarr të gjithë aktivitetet, prandaj të gjithë jemi të vetëdijshëm se kur jetojmë në kushte krize jo vetëm ne por e gjithë bota, investitorët kufizohen. Para disa kohësh bëmë një shpallje për disa parcela në zonën ekonomike, por interesim nuk kishte”, tha Duka .

    Në vitet që kaluan të dhënat zyrtare të pushtetit vendor në Dibër thonë se për investime në zonën ekonomike me të cilën aktualisht menaxhon pushteti vendor janë realizuar kontakte të shumta edhe atë mëse dhjetë vite në kontinuitet me biznesmen nga Turqia por edhe me biznesmen mërgimtarë dibran në SHBA dhe disa shtete të Unionit Evropian. Për fat të keq, përveç interesimit deri tani nuk ka asgjë konkrete rreth realizimit të investimeve.

    Kushtet të cilat i ofron komuna Dibër për investitorët janë korrekte dhe objektive por assesi të fillojnë investime në këtë zonë. Mes atyre që kanë patur kontakte me komunën për të investuar në Dibër edhe jashtë zonës ekonomike janë edhe biznesmen të njohur siç është biznesmeni shqiptar Saimir Mane, etj. Klima e sigurisë jo vetëm në Dibër por edhe më gjerë sipas Odave ekonomike në Dibër është faktori kryesor që biznesmenët druajnë që të fillojnë të investojnë në Dibër. Pushteti aktual vendor sheh një mundësi të madhe për investime në Dibër edhe me hapjen e rrugës së Arbrit. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Mullixhinjtë njoftojnë ulje të çmimit të bukës rreth 10 për qind

    Lajmi i rradhës

    Mickoski konfirmoi se do të marrë pjesë në takimin e liderëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë