Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji ndaj tre të dyshuarve me inicialet N.M, G.P dhe K.K, për vrasjen e Liridona Murselit.
N.M për shkak të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, G.P për veprën penale, vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe K.K për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.
Liridona është vrarë më 29 nëntor në Prishtinë. Në mesin e të dyshuarve për vrasjen e 30-vjeçares është edhe burri i saj, i identifikuar nga mediat lokale si Naim Murseli.
Gjykata e ka marrë vendimin pas një seance dëgjimore që e ka mbajtur të dielën për këtë rast.
Në vendim është thënë se ekziston dyshimi i bazuar për përsëritje të veprës penale.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, është thënë në komunikatë.
Seanca ka nisur në orën 9:30, dhe ka qenë e mbyllur për mediat.
Avokatët mbrojtës nuk janë deklaruar pas seancës.
Afër gjykatës janë parë familjarë të Liridonës, por ata nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancën e parë.
Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ka thënë se është njoftuar që duhet të bëjë kërkesë për të marrë pjesë në seancat e radhës.
Ai ka thënë se i ka dorëzuar kërkesë Prokurorisë për zhvarrosjen e trupit të Liridonës dhe rivarrosjen afër varrezave të shtëpisë së prindërve të saj.
“Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu”, ka thënë vëllai i saj, pas seancës.
Ai ka thënë se beson që autoritetet e Kosovës do të vendosin drejtësi në këtë rast.
Në hyrje të ndërtesës, është mbajtur një protestë nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, me mbishkrimin “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.
“Vendi ynë nuk mund të ketë paqe, përderisa gratë çdo ditë përjetojnë gjendje lufte. Luftë për ekzistencë, luftë për të mos u dhunuar, luftë për të mos u vrarë”, ka thënë Trina Binaku nga organizata.
Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Pas arrestimit, Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.
“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.
Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.
Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.
Vrasja është dënuar ashpër nga zyrtarë të lartë të Kosovës dhe është bërë thirrje për zbardhjen e rastit.
Me thirrjet kundër femicidit dhe dhunës me bazë gjinore – duke marrë shkas rastin e Liridonës – do të protestohet në mesditën e së dielës në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ndërsa të martën në Prishtinë. /REL/