Debati për ndryshimin e modelit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut ka marrë vrull pas propozimit të kryeministrit Hristijan Mickoski që vendi të kalojë në një njësi të vetme zgjedhore. Ky ndryshim do të kishte ndikim të madh në përfaqësimin politik, sidomos në raport me komunitetet etnike dhe pjesëmarrjen e diasporës. Përderisa partitë maqedonase e mirëpresin këtë iniciativë, partitë shqiptare shfaqin rezerva dhe shqetësime për pasojat që mund të sjellë një sistem i tillë për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në Parlament. Kryetari i ASH-së, pjesë e Frontit Evropian, Ziadin Sela theksoi se propozimi për një njësi zgjedhore është i dëmshëm për shqiptarët dhe do të dobësonte pozitën apo përfaqësimin e deputetëve shqiptarë në Parlament.
“Për sa kohë subjektet shqiptare janë inekzistente në Maqedoninë Lindore, është tepër gabim që të bëhet një njësi zgjedhore, sepse kjo do të krijonte kushte dhe mundësi për manipulim të zgjedhjeve dhe fatkeqësisht shoh që me këtë propozim po tentohet ndrydhja e deputetëve shqiptarë”, theksoi Sela. Sipas tij, njësitë zgjedhore duhet ti përshtaten nevojave ekonomike.
“Në qoftë se kemi parasysh koncentrimin e popullsisë zbrazjen e shumë vendeve, të cilat janë – kushtimisht thënë të provincave dhe koncentrimin vetëm brenda përbrenda në Shkup, atëherë kjo njësi zgjedhore do ti bënte të margjinalizuar vendbanimet dhe qytetet e vogla”, theksoi Sela. Ai tha se propozimi i partisë së tij është që të ketë tetë njësi zgjedhore.
“Aq sa janë rajonet për zhvillim të barabartë ekonomik. Rajone, të cilat janë ndarë në bazë të një studimi të ekspertëve dhe nëpërmjet këtyre rajoneve dhe jo çdo rajon nuk do të kishte numrin e njëjtë të deputetëve, kjo do të shkonte në bazë të numrit të përgjithshëm të popullatës”, theksoi Sela.
Ai gjithashtu tha se janë për përfshirjen e diasporës në zgjedhjet e vendit, por jo nëpërmjet qendrave apo përfaqësive të konsullatave, por nëpërmjet votimit me postë, ndërsa pozitivisht e shohin edhe propozimin për lista të hapura. “Jemi për lista të hapura, jemi për diasporën që të votojë me postë prej në shtëpinë e tyre dhe ta dërgojnë me postë votën këtu të votohet, për këto tema jemi të gatshëm të bisedojmë, ndërsa një njësi zgjedhore mendojmë se është gabim”, tha Sela.
Nga ana tjetër, edhe pse përfaqësues të BDI-së fillimisht thanë se për ta është i pranueshëm propozimi me një njësi zgjedhore, në të cilin do të inkuadrohej edhe diaspora dhe në të cilin do të kishte një prag zgjedhor prej së paku 3%, megjithatë deputeti Ilir Hasani tha se BDI se bashku me partnerët tjerë në koalicionin Fronti Evropian po vazhdojnë të bëjnë analizat për këtë çështje.
“E kemi diskutuar atë edhe në kuadër të grupit parlamentar të Frontit Evropian. Si diskutim me vite të tëra diskutohet edhe në BDI. Së shpejti edhe ne do të marrin një qëndrim për ofertën e kryeministrit për një njësi zgjedhore, por duke e kyçur në atë njësi zgjedhore edhe diasporën, nuk kemi një qëndrim zyrtarë dhe përderisa nuk kemi një qëndrim zyrtarë, nuk do të kisha dashur të flas tani”, theksoi Hasani.
Në ndërkohë, VLEN ende nuk ka një qëndrim zyrtarë në lidhje me këtë çështje. Njëri ndër krerët e VLEN-it, Bilall Kasami tha se propozimi për ndryshimin e modelit zgjedhor, në të cilin do të aplikohej modeli me një njësi zgjedhore, e shohin me hezitim, kjo edhe për shkak të faktit se partitë shqiptare nuk kanë shtrirje në gjithë territorin e vendit dhe mund të bëhen manipulime të ndryshme.
“Ne kemi diskutuar për këtë çështje, jemi duke e analizuar edhe më tutje. Nuk është e thjeshtë a do të jetë me një apo me më shumë njësi zgjedhore, marrë parasysh edhe faktin se mund të ketë implikime ndëretnike, sepse me një njësi zgjedhore, sigurisht që do të duhet të ketë garanca që në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut do të mund të ruhet vota dhe nuk do të mund të ketë deformim të realitetit etnik të përfaqësimit në Parlament”, theksoi Kasami. Gjithsesi, ai tha se brenda koalicionit po diskutohet kjo çështje dhe së shpejti do të dalin me një vendim final me të cilin do të propozojnë se çfarë modeli zgjedhor duhet të aplikohet.
“Duke i marrë parasysh të gjitha këto aspekte, ne jemi duke ndërtuar qëndrimin tonë, se a do të jemi për një njësi zgjedhore apo për katër apo tetë, sepse në kuadër të koalicionit VLEN, janë parti që kanë pasur qëndrime të tyre në lidhje me këtë çështje”, theksoi njëri ndër krerët e VLEN-it, Bilall Kasami.
Ndërkohë, pothuajse të gjitha partitë maqedonase janë “për” propozimin për një njësi zgjedhore. Çështja e modelit zgjedhor kujtojmë se u hap nga kryeministri në seancën plenare për pyetje deputetësh, i cili i pyetur se përse Qeveria po tenton të fshijë diasporën nga përfaqësimi nëpër komuna dhe nga buxheti, kryeministri u përgjigj se është i gatshëm të propozojë ndryshime ligjore me të cilat do të mundësohej ndryshimi i modelit zgjedhore, ku do të aplikohej model me një njësi zgjedhore, në të cilën do të përfshihej edhe diaspora. Ky propozim u mirëprit nga partitë më të vogla maqedonase si Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit apo Partia Liberal-Demokrate e Monika Zajkovës, të cilët propozuan ndryshime të Kodit Zgjedhor, qenë mënyrë që Maqedonia e Veriut t’i realizon zgjedhjet me një njësi Zgjedhore, dhe jo në gjashtë njësi sa ka aktualisht.
“Ndryshime të tilla do të nënkuptojnë një shtysë të fortë për demokratizimin e procesit zgjedhor dhe të shtetit në tërësi, si dhe çmontimin e “sistemit njëpartiak” të qeverisjes dhe rritjen e përgjegjësisë të pushtetit ekzekutiv dhe ligjvënës. Në procesin e sjelljeve të ndryshimeve të mëdha, do të jenë të përfshira më shumë parti, me të cilën do të kontribuojmë në rritet kontrolli i pushtetit ligjvënës mbi pushtetin ekzekutiv”, theksoi Trajanov.
Edhe për partinë opozitare E Majta, ky propozim do të jetë i pranueshëm, ndërsa potencojnë se kjo ka qenë kërkesë e kësaj partie që nga themelimi. Megjithatë për këtë subjekt politikë të diskutueshme mbetet çështja e pragut zgjedhor dhe e përfshirjes së diasporës.
“Një njësi zgjedhore mbetet si prioriteti më i lartë i partisë E Majta. Në programin partiak të partisë E Majta, që nga viti 2016 qëndron koncepti që RMV të jetë me një njësi zgjedhore. Ne besojmë se një njësi zgjedhore i duhet vendit, sepse me gjashtë njësi votat e qytetarëve nuk peshonin njësoj, dhe këtë problematik e kanë konstatuar edhe faktori ndërkombëtarë”, theksoi deputeti i të Majtës, Amar Mecinoviç.
Edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se partia e tij është e gatshme të ulet në tryezë dhe të diskutojë iniciativën për një njësi të vetme zgjedhore, por theksoi se ndryshime të tilla duhet të jenë pjesë e një debati më të gjerë politik në të cilin do të marrin pjesë të gjitha partitë parlamentare.
“Jemi të gatshëm të diskutojmë të gjitha temat, përfshirë modelin zgjedhor, por duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës. Përveç çështjes së një njësie të vetme zgjedhore, ka edhe çështje të regjistrimit të popullsisë dhe listave të hapura”, ka theksuar Filipçe. Përndryshe nëse partitë politike veç më vendosin për ndryshim të Kodit Zgjedhor, kryeministri Mickoski propozoi që ato ndryshime të vlejnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. /Koha/