Një plan për rritje të përshpejtuar ekonomike!

    Ekonomia e Maqedonisë në periudhën e kaluar është rritur deri me gati tre për qind në mesatare në vit, që vështirë po sjell një mirëqenie dhe standard më të madh për qytetarët. Apo me fjalë të tjera ka shënuar rritje ekonomike prej 2.7 për qind në periudhën 2001 – 2018. Në të njëjtën periudhë shtetet e tjera kanë një rritje shumë më të madhe.

    Në dallim prej ne, Shqipëria në këtë 17 vjeçar ka rritje mesatare prej 4 për qind, Bullgaria prej 3.7 për qind, Mali i Zi dhe Serbia prej 3 për qind, Rumania dhe Sllovakia prej 4 për qind… Ekonomistët, odat ekonomike dhe organizata të tjera kanë propozuar mënyra të ndryshme që vendi të hapërojë më fuqishëm ndaj një perspektive ekonomike më të ndritur. Së fundmi edhe organizata “Maqedonia 2025” ka propozuar strategjinë për rritje ekonomike të vazhdueshme prej pesë për qind, që e përkthyer në gjuhë të zakonshme nënkupton edhe standard më të mirë për qytetarët dhe paga më të mëdha për punonjësit.

    Nga kjo organizatë vlerësojnë se ekonomia e Maqedonisë nuk mund të sjellë nivele më të larta rritjeje pa zhdukur shkallën e lartë të korrupsionit, pa investuar në kapitalin njerëzor, përmirësimin e arsimit, por edhe një administratë publike efikase dhe produktive.

    Ky plan përfshin tre fusha si dixhitalizimi, konkurrenca dhe shfrytëzimi i potencialit të diasporës.

    “Maqedonia përballet me sfida të forta zhvillimore, si në nivel lokal, rajonal dhe global, kompleksiteti dhe pasiguria e të cilave, së bashku me progresin e ngadaltë në afrimin e standardit të jetesës së BE-së, kërkojnë veprim gjithëpërfshirës, ​​intensiv dhe të plotë në periudhën e ardhshme. Janë pikërisht situatat e tilla që na motivuan që t’i përkushtohemi krijimit të masave konkrete me të cilat duam t’i inkurajojmë të gjitha palët e interesuara në shoqëri që të ndërmarrin veprime vendimtare për zbatimin e tyre”, tha Nikica Mojsoska-Blazevski, drejtoreshë ekzekutive e Maqedonia 2025.

    Tri postulatet mbi të cilat duam të bazojmë vizionin e ri për Maqedoninë janë zero toleranca ndaj korrupsionit, përmes transparencës, përmes sistemit të vlerave, përmes një sistemi të bazuar në merita dhe mbi të gjitha në përgjegjësinë personale, të cilën ne vitet e fundit po vërehet gjithnjë e më pak, thotë Gjorgje Vojnoviq nga Bordi i Drejtorëve të Maqedonisë 2025.

    Biznesi mendon se theks i veçantë duhet t’i kushtohet kompanive të orientuara drejt eksportit, më pas mbështetje serioze për kompanitë e vogla dhe të mesme në vend, por edhe përgatitja e një strategjie të re për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

    “Është shumë e rëndësishme në atë strategji gjithëpërfshirëse që institucionet që kanë të bëjnë me tërheqjen e investimeve të huaja të bëhen profesionale. Profesionalizimi i stafit, jo vetëm i stafit menaxherial por edhe atij udhëheqës , por edhe të emërohen me njerëz profesionistë që dinë dhe kanë përvojë nga sektorët që duam t’i tërheqim”, shton Viktor Mizo nga Bordi i Drejtorëve të Maqedonia 2025.

    Biznesi sheh potencial edhe nga jashtë dhe kërkon përskaj një qasje të re për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, edhe lehtësime për mërgimtarët që të kthehen këtu dhe të investojnë më lehtësisht. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    ME NARRATIVË ANTIEUROPIANE DERI TE VOTAT!

    Lajmi i rradhës

    Ulen çmimet e produkteve bujqësore në RMV, dallohen perimet dhe drithërat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë