Një politikan serb hedh ngjyrë në muralin e Mlladiqit

    Foto: RFE/RL

    Në Serbi ka vazhduar edhe të mërkurën (10 nëntor) shprehja e pakënaqësisë me vendosjen e një murali me imazhin e Ratko Mlladiqit, ish-komandant i ushtrisë serbe në Bosnje e Hercegovinë, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë.

    Gjorgjo Zujoviq, një zyrtar i Partisë Socialdemokrate të Serbisë, hodhi ngjyrë në muralin e vendosur në një rrugë qëndrore të Beogradit.

    Më 9 nëntor Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ndaloi një tubim të organizatës Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut në Serbi, e cila donte të shlyente muralin e Mlladiqit.

    Të martën një numër i lartë i policëve qëndroi në pjesën e qytetit ku ndodhet murali.

    Aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Aida Qoroviq, u ndalua të martën nga policia në Beograd, pasi hodhi vezë në mural.

    Të mërkurën policia nuk ishte e pranishme në këtë lokacion.

    Përmes një letre të hapur, Organizata Joqeveritare “Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi” (YIHR) tha më herët se nuk do të bëjë më përpjekje për të hequr muralin e Ratko Mlladiçit në qendër të Beogradit, siç ishte planifikuar.

    Kjo organizatë tha se ka hequr dorë, pasi e kuptoi mirë deklaratën e ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ministrit, Aleksandar Vullin, në të cilën flitet për “fotografi të kokave të gjakosura serbe” nëse hedhet ngjyrë në muralin e Mlladiqit.

    “Formacionet e tij paraushtarake, siç është (organizata ultra e djathtë) Leviatan, do të na thyenin kokat dhe policia e tij nuk do të na mbronte”, tha organizata.

    Të martën, policia nuk i lejoi aktivistët t’i afroheshin muralit derisa një grup i mbështetësve të Mlladiqit u mblodhën në të njëjtin vend duke brohoritur mesazhe mbështetjeje për të.

    Ministria e Brendshme tha se policia ka ruajtur rendin dhe qetësinë publike në Beograd.

    Gjatë ditës, policia arrestoi gjashtë persona “për prishje të rendit dhe qetësisë publike në zonën e tubimeve të paligjshme publike”.

    Në deklaratë thuhet se policia nuk e mbron muralin, por “rendin dhe qetësinë publike nga të gjithë ata që duan ta rrezikojnë atë, pavarësisht nëse janë pro heqjes së muralit apo e kundërshtojnë atë”.

    Si komandant i ushtrisë serbe në Bosnje e Hercegovinë, Mlladiq është dënuar për gjenocid në Srebrenicë, persekutim, krime kundër njerëzimit, shfarosje dhe krime të tjera lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje, nga viti 1992 deri më 1995. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Si do ta vaksinojë Bullgaria publikun kur as mjekët nuk binden?

    Lajmi i rradhës

    “Kur s’u duhesh më, kur t’ua prishësh terezinë, do të të hedhin si letrën e ndyrë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë