Një rreth për matjen e “pulsit” të elektoratit

    Partitë politike kanë filluar të dalin me kandidatët e tyre për president të vendit. Nga sot ka filluar edhe grumbullimi i nënshkrimeve për kandidatët për president. Sipas Kodit Zgjedhor një kandidat mund ta shpallë kandidaturën e tij përmes nënshkrimit të 30 deputetëve apo me nënshkrimin e 10.000 qytetarëve. Nga koalicioni opozitar VLEN për president kanë propozuar kreun i Komunës së Gostivarit dhe të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ndërsa nga BDI, për kandidat e propozuan ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Analistët thonë se në zgjedhjet presidenciale partitë do të masin forcat e tyre në elektorat, sidomos ato në kampin politik shqiptar.

    “Sepse është e ditur që zgjedhja e presidentit shqiptar është e pamundur. Megjithatë partitë opozitare shqiptare sigurisht kane vlerësuar që të krijojnë përshtypjen në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale se do te jenë fituese të zgjedhjeve dhe me këtë të nxisin dalje sa më të madhe të elektoratit shqiptar në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, gjegjësisht të atyre parlamentare që do të mbahen së bashku më 8 maj”, thotë Blerim Hyseni, analist.

    Sipas tij, kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja e vetme që edhe BDI doli me kandidat presidencial për të mos krijuar ambient të rrejshëm në favor të opozitës shqiptare. Ai në fund tha se vlerëson që ky cikël zgjedhor do të jetë më i komplikuar edhe për shkak të zgjedhjeve të dyfishta por edhe për shkak të numrit të madh të kandidateve në garën për president të vendit.

    Analisti Vladimir Bozhinovski në një emisionin televiziv tha se këto zgjedhje presidenciale nuk janë vetëm për të parë se kush do të shkojë në raundin e dytë, por për të matur forcën e partive politike.

    “Nëse Stevo Pendarovski fiton 170.000 vota, hipotetikisht, është humbje e rëndë për të, por nëse një nga kandidatët e partive më të vogla fiton 30-40.000, është fitore e madhe”, thotë Bozhinovski.

    Ndërkaq, zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi, ka mbajtur dje një konferencë për media para Vilës Vodno, tha se BDI, ka nisur grumbullimin e nënshkrimeve për Bujar Osmanin, kandidat për President të vendit.

    “Pas Kryeministrit të parë shqiptar, zëvendëskryeministrit të parë, Ministrit të jashtëm, atij të mbrojtjes dhe të punëve të brendshme, avokatëve të shtetit dhe të popullit, kryetarëve të gjykatave kushtetuese, supreme, administrative, kryetarët e federatave të futbollit, mundjes dhe boksit, ka ardhur koha që të shtrojmë rrugën që edhe Presidenti i shtetit të jetë shqiptar. Thelbi i idesë së liderit Ali Ahmeti është zgjedhja e presidentit të shtetit në Kuvend me 2/3 e votave dhe me shumicë të Badenterit për të siguruar konsenzus shoqëror, mbipartiak që mundësohet me mbi 80 vota në Kuvend dhe konsenzus etnik që mundësohet me shumicën e Badinterit në mënyrë që të parandalohet mbivotim etnik dhe imponimi vetëm nga dy partitë më të mëdha politike maqedonase”, tha Ademi. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Duhet te konsumoni apo jo ushqim para analizave?

    Lajmi i rradhës

    Ekonomia gjermane në kërkim të një strategjie të re

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë