Edhe këtë verë me ardhjen e mërgimtarëve nga Amerika dhe shtetet e Evropës, në Dibër dhe rajonin më të gjerë realizohen shumë gëzime familjare. Priten mërgimtarët me qëllim që dasmat familjare siç janë synetit, martesat dhe fejesat – t’i përjetojnë edhe ata, meqë janë gëzime familjare të një gjaku. Edhe këtë verë pothuajse çdo ditë në qytet dhe fshatra ka dhjetëra dasma në të cilët harxhohen shumë para.
Dasmat e mëdha nuk mund të organizohen pa përkrahjen e familjarëve që janë në mërgim, por ka edhe familje të tilla të cilët edhe pse nuk kanë përkrahje nga mërgimtarët, marrin kredi bankare për të mos ngelur “mangët” kur janë në pyetje dasmat të cilët mbahen nëpër restorante dhe janë të shtrenjtë. Por dasmat edhe ketë verë janë një aheng që bëhet me shumë para, me këngë, tupana por edhe krisma nga armët.
Pronarët të restoranteve thonë se të gjithë restorantet kanë dasma për çdo natë. Sipas tyre një meny për dasmorët kushton mbi 30 euro. Këtu duhet shtuar edhe muzikën e cila mesatarisht kushton 2000 euro dhe nëse llogariten edhe harxhimet tjera siç janë gardëroba e nuses, dhëndrit, zbukurimet e arit dhe harxhimet e tjera, dasma kushton ofro 25 mijë euro.
“Janë dasma të shtrenjta, por mbi 80 për qind e gëzimeve familjare, respektivisht dasmave, i takojnë kategorisë të dasmave të shtrenjta. Ndihmojnë mërgimtarët, por ndihmojnë edhe kreditet bankare”, thotë një dasmor i cili këto ditë pati dasmën e djalit të tij.
“Tangërllëqet dibrane nuk pushojnë edhe pse ata mbas prishin jetesën në familje me që kreditë bankare duhet të paguhen”, thotë Astrit M, dibran i cili jeton vitet të 80-ta.
Në Dibër thonë ata që e kanë fuqinë, mirë është që bëjnë dasma pompoze, gëzohen me familjarët e tyre që vijnë nga mërgimi, por problemi qëndron tek dasmat që bëhen pompoze me para të huazuara. E kjo ndodh si në qytet ashtu edhe në fshatra, prandaj dibranët thonë se vazhdon të ndodh dukuria “Shif rrushi – rrushin”…, respektivisht edhe ata që nuk kanë, bëjnë dasma njësoj si ata që kanë një standard më të lartë.
Kur jemi tek dasmat të theksojmë edhe atmosferën në të cilët realizohen ata. Nëpër rrugët e Dibrës, por jo vetëm aty për çdo ditë parakalojnë automjete me flamuj kombëtar, të shoqëruar me këngë dhe tupanë, por disa herë dëgjohen dhe krisma nga armët.
Sipas SPB-Ohër i cili mbulon edhe aktivitetet të policisë në Dibër, një rast të këtillë ka patur këta ditë në rrugën “Isa Boletini”, në Dibër. Por qytetarët tregojnë se krisma ka patur edhe në lokalitetin ku gjenden disa ndërtesa kolektive në qendër të Dibrës, dhe në vise të tjera. Për fat të mirë pa probleme ndaj sigurisë të qytetarëve. Kjo ndodh pothuajse çdo vit si në qytet ashtu edhe në fshatra, edhe pse policia në kontinuitet kërkon të mos përdoren armë dhe mos ketë krisma, sepse ajo është e ndaluar me ligj.
Apelet janë të rregullta por dukuria vazhdon edhe pse në një tempo më të ulët në krahasim me të kaluarën kur pati edhe viktima nëpër dasma. Dasmat nëpër restorante shpesh janë edhe vende ku ftohen dhe paguhen me disa mijëra euro këngëtar të njohur të estradës shqiptare. Ahengjet janë shumë orëshe dhe muzikantët marrin edhe shumë bakshishe. Hidhen dollarë, euro, franga, denarë dhe lekë dhe dasmat janë pompoze, por harxhimet nëpër dasma nuk janë në korrelacion me fuqinë e standardit të pjesës më të madhe të dibranëve. /Koha/