Ndonëse ka më shumë se një vit e gjysmë që Ramiz Merko është futur në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, nuk ka asnjë epilog për asnjë nga rastet për të cilat zhvillohen procedura gjyqësore ndaj tij. Për momentin ndaj Merkos janë aktive tetë raste, disa prej të cilave për emërime të paligjshme të drejtorëve në pesë shkolla fillore në Strugë dhe rajonin e Strugës, si dhe për blerjen e automjetit luksoz Audi A6. Proceset gjyqësore vijojnë prej muajsh, shpesh me shtyrje, si dhe me kërkesa për përjashtimin e gjykatësve nga mbrojtja e Merkos. Gjithashtu dy gjykimet e fundit në fillim të dhjetorit janë shtirë, me kërkesë të mbrojtjes, për shkak të sëmundjes së avokatit të Merkos.
“Nuk ka akuza të reja ndaj të njëjtit person”. Të gjitha aktakuzat për të cilat është informuar publiku janë aktive”, njoftojnë nga PTHP -Strugë.
Ndonëse kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë që nga hyrja në listën e zezë, Merko është ende në detyrë, ai nuk tregoi përgjegjësi morale dhe etike për t’u tërhequr. Thjesht i ngriu të gjitha aktivitetet në BDI. Procesi i parë gjyqësor, për Audi A6 nisi vetëm 10 muaj pasi ai u shpall persona non grata, pra më 27 prill, por as atëherë nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Po të mos ishin SHBA-të, kallëzimet penale kundër Ramiz Merkos do të ishin ende në sirtar, thotë avokati Vlado Çingoski.
“Nga BDI-ja, nëse mendonin se duhet të distancohen prej tij për të qenë në korrelacion me partnerin tonë strategjik, duhet të kërkojnë dorëheqjen e tij. Nuk mund të paragjykojmë se cili do të jetë vendimi, nëse ai do të dënohet apo jo, por nuk duhet të çuditemi nëse ai shpallet i pafajshëm apo kalon me ndonjë dënim simbolik, pra dënim me kusht”, tha Vlado Çingoski- avokat.
Ndër dënimet e fundit të fituara nga Merko është ai për ndërtimin e paligjshëm të një objekti pranë pishinës së një hoteli në Strugë. Sipas aktakuzës, në maj të vitit 2019, pronari i një kompanie ka paraqitur kërkesë për rikonstruimin e pishinës në hotel, por ka marrë leje nga Merko për të ndërtuar objekt të tërë. Me këtë, ai i ka mundësuar investitorit që të përfitojë përfitim pronësor, patundshmëri, me sipërfaqe të përgjithshme prej 513 m2 dhe vlerë të parashikuar prej 781.527 euro. Me këtë ai i kaloi kufijtë e kompetencave të tij zyrtare. Merko hyri në listën e zezë të SHBA-së për shkak se ishte i përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm. Nga atje thonë se ai si kryetar i Komunës së Strugës ka keqpërdorur mjetet e komunës dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke e dëmtuar besimin në institucionet demokratike dhe funksionarët. /Alsat/