Bujar Osmani: Kam informacione për sulmin në Banjskë, do ta informoj Qeverinë

    Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se ka fakte dhe informata lidhur me sulmin në Banjskë që pati ndodhur më 24 shtator të vitit të kaluar dhe se ato do t’i prezantojë në mbledhje të mbyllur të Qeverisë. Ai ka shtuar se do të shqyrtohet dhe vendoset nëse shteti duhet të qëndrojë në nismën “Ballkani i Hapur”.

    Pas sulmit në Banjskë, ai nuk kishte marrë pjesë në takimet e “Ballkanit të Hapur”, megjithatë Osmani ka theksuar se tani Qeveria do të marrë vendimin përfundimtar për pjesëmarrjen e mëtutjeshme të Maqedonisë së Veriut në nismë.

    “Kur ndodhi sulmi në Banjskë në Kosovë, pata deklaratë se kjo shkon në kundërshtim të idesë themelore të nismës – se është për pajtim. Dhe thashë – nëse ka përzierje të drejtpërdrejtë të Beogradit në Banjskë, atëherë me të vërtetë duhet të rishqyrtohet sepse i shkelë shtyllat e idesë themelore. Meqenëse tani kam më shumë informata se çka ka ndodhur në Banjskë, planifikoj më mbledhje të mbyllur ta informoj Qeverinë, ndërsa Qeveria do të vendosë se si do të veprojë më tutje”, ka thënë Osmani.

    Sipas tij, nisma “Ballkani i Hapur” nuk është e plotë sepse nuk janë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Ajo kishte dy qëllime – pajtimin për krijim të parakushteve për mbyllje të kontestit kosovaro-serb dhe për njohje të ndërsjelltë dhe liberalizim të tregut sepse u vlerësua se 80 për qind të kohës kamionët në Ballkan e kalojnë në vendkalime kufitare, ndërsa 20 për qind në rrugën drejt destinacionit të vet. Kuptohet, ato ishin qëllime fisnike në të cilat ne morëm pjesë. Por ajo është nismë në tentim sepse, derisa nuk janë të gjashtë vendet, nuk është nismë e kompletuar”, ka thënë ai./KlanMacedonia/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët e Maqedonisë presin dy muaj për një pasaportë

    Lajmi i rradhës

    Pastrimi me themel i shtëpisë në pranverë – Efektet në organizëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë