Ka kaluar një vit që kur Qeveria publikon vetëm në gjuhën maqedonase mbledhjet dhe seancat në portalin e saj. E fundit, është seanca e datës 3 qershor, e 78-ta më radhë, por gjuha shqipe mungon në të gjitha, përveç mbledhjes së katërt ku procesverbali figuron në të dyja gjuhët. Njëjtë sikur në 2024, edhe këto gjashtë muajt e 2025-ës shqipja mungon nëtë gjitha procesverbalet e mbledhjeve të Qeverisë. Mosrespektimin e gjuhës shqipe, Qeveria e ka arsyetuar si problem teknik, se bëhet fjalë për zhvillimin e një portali të ri. Kështu kanë deklaruar disa muaj në parë, ndërkohë që situata mbetet e njëjtë.
“Kur portali të jetë gati, ai do të përmbajë të gjitha informacionet që ju interesojnë. Ndërkohë, ruhet portali i vjetër, i cili është i pasigurt dhe është cak i sulmeve të shpeshta të hakerëve”, kanë deklaruar për Koha.
Nëse transparenca me publikun sa i takon procesverbaleve të mbledhjeve dhe seancave të zhvilluara çalon, nga gjithsej tetë mbledhjet dhe seancat e zhvilluara brenda dy muajve të fundit – maj dhe qershor në portal figurojnë vetëm dy procesverbale, në maqedonisht, në portalin e Qeverisë publikohen në kohë rekord arritjet e qeverisë, fjalimet…. e të tjera. Propaganda zhvillohet sipas prioriteteve të tjera.
Në të dyja gjuhët – maqedonisht dhe shqip informacionet përditësohen rregullisht, pa asnjë lloj problemi teknik. Çështje teknike, siç është përligjur prej gati një viti, apo shpërfillje e qëllimtë e gjuhës shqipe, mosrespektimi i gjuhës shqipe është demonstruar edhe në korrespondencën mes Qeverisë dhe institucioneve të tjera, si rasti me Parlamentin, kur parashtresat janë përpiluar në gjuhën maqedonase.
Edhe kur ia janë kthyer për përkthim, nuk është përkthyer i gjithë materiali, por vetëm pjesërisht. Faqja e parë është gjithmonë në maqedonisht, ashtu edhe nënshkrimet e kryeministrit, apo të propozuesve të tjerë. Kështu ka ndodhur për të gjitha ministritë dhe titullarët shqiptarë, të cilët duhet të nënshkruhen në faqen me kirilicë, ku krahas emrit dhe funksionit të shkruar në maqedonisht qëndron nënshkrimi i ministrit, zëvendësministrit, apo sekretarit shtetëror shqiptar.
Spiralja e mosrespektimit të gjuhës shqipe nga Qeveria, zgjatet nëpër pjesën më të madhe të ministrive, ku në faqet e tyre zyrtare informacionet publikohen pjesërisht në gjuhën shqipe. Ajo që para një viti është justifikuar si “çështje teknike”, apo me zhvillimin e faqeve të reja, vazhdon të mbetet problem për pjesën më të madhe të ministrive. Përjashtim bëjnë disa ministri, kryesisht që drejtohen nga ministra shqiptare, si edhe ministritë e Arsimit dhe Shkencës, Kulturës dhe Turizmit, apo ajo për Marrëdhëniet mes Bashkësive që e ka zhvilluar portalin e ri në më shumës gjuhë. Problematike me respektimin e pjesshëm të gjuhës shqipe janë ministri të tilla si ajo e Punëve të Brendshme, të Jashtme, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, e Drejtësisë, e Transportit… , të cilat nuk i përditësojnë rregullisht informacionet.