“Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, kusht thelbësor për integrimin në BE”

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka ritheksuar se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një kusht thelbësor për integrimin evropian të të dyja vendeve.

    Gjatë një takimi të mbajtur të mërkurën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Macron ka theksuar rëndësinë e dialogut mes dy vendeve dhe rolin që Franca ka në këtë proces.

    “Kemi diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Franca është thellësisht e lidhur me këtë. Ky është një kusht thelbësor për integrimin evropian të tyre,” ka shkruar Macron në platformën “X”.

    Në postimin e tij, Macron ka dhënë detaje nga biseda me Vuçiqin, duke përmendur angazhimin e Francës për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Serbisë, si dhe nevojën për vazhdimin e reformave dhe konsolidimin e rezultateve ekonomike.

    Ai ka theksuar gjithashtu mbështetjen e palëkundur të Francës për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke përfshirë edhe angazhimin për stabilitetin dhe rendin kushtetues në Bosnjë-Hercegovinë.

    Në fund të deklaratës së tij, Macron ka përmendur edhe bashkëpunimin e zgjeruar politik, ekonomik dhe të mbrojtjes mes Francës dhe Serbisë, duke konfirmuar pjesëmarrjen e Francës në Expo 2027 që do të mbahet në Beograd./Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    “Kam frikë për të ardhmen e fëmijëve” – Kosova prin në rajon me nivelin e metanit në ajër

    Lajmi i rradhës

    Çmimi Nobel

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë