Vjeshta e ngarkuar e NATO-s

    Pas një samiti me plot ngjarje në Vilnius, në muajin korrik, NATO-ja do t’u kthehet çështjeve “me bukë e gjalpë”. Kjo nënkupton stërvitje të ndryshme ushtarake, së paku dy takime ministrore në Bruksel para fundit të vitit – një i ministrave të Mbrojtjes, tjetri i ministrave të Jashtëm – dhe ndoshta mirëpritjen e një vendi të ri anëtar, Suedisë.

    Në samitin e Vilniusit kishte një marrëveshje mes Stokholmit dhe Ankarasë, që dukej se i hapte rrugë anëtarësimit të Suedisë.

    Por, procesi i ratifikimit nuk ka filluar ende as në Turqi dhe as në Hungari.

    Zyrtarë të NATO-s i kanë thënë Radios Evropa e Lirë në kushte anonimiteti se ende besojnë se Suedia do të bëhet vend anëtar këtë vjeshtë, me shumë gjasa në tetor, pavarësisht komenteve të fundit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, që kanë lënë të kuptohet se Suedia duhet ta zgjidhë çështjen e djegieve të kopjeve të Kuranit, për të shmangur ngadalësimin e procesit të ratifikimit.

    Derisa NATO-ja pret anëtarin numër 32, vjeshta e saj, në thelb, do të përshkohet nga zbatimi i disa prej gjërave të vendosura në Vilnius.

    Për shembull, a janë vërtet të mjaftueshme planet e përditësuara të mbrojtjes, që nënvizojnë se si NATO-ja duhet të përgjigjet nëse territori i ndonjë vendi anëtari sulmohet?

    “Kjo vjeshtë ka të bëjë me verifikimin e ekzekutimit të planeve tona”, tha një zyrtar i NATO-s për REL-in.

    Me fjalë të tjera, a ka mjaftueshëm trupa të gatshme luftarake dhe pajisje ushtarake për t’iu dalë shpejt në mbrojtje shteteve që potencialisht sulmohen?

    NATO-ja do të duhet të përgjigjet deri në fund të vitit.

    Pastaj, është edhe çështja e shndërrimit të batalioneve shumëkombëshe në tri shtetet baltike dhe në Poloni në brigada, duke e rritur numrin e trupave nga afërsisht 1.000 në 3.000-5.000.

    Kjo do më shumë kohë, pasi duhet bërë zgjidhje edhe për çështje si strehimi apo zonat më të mëdha të stërvitjeve për të ardhurit e rinj.

    Përgatitjet, me sa duket, mund të përfundojnë në Lituani, ku Gjermania është vendi kryesor, në fillim të vitit 2024, ndërsa pak më vonë në vendet e tjera.

    NATO-ja, ndërkohë, do ta mbajë një sy edhe te kundërofensiva e Ukrainës.

    Disa zyrtarë i thanë REL-it se kundërsulmi mund të mos ketë qenë aq mbresëlënës sa është shpresuar fillimisht, por ata theksuan, po ashtu, se është e lehtë të ulesh larg, në vend të sigurt, dhe të bësh komente të tilla.

    Përveç për luftën, spekulimet do të intensifikohen edhe për pozicionet e larta në NATO.

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ra dakord së voni që të qëndrojë edhe për një vit, por ai do të tërhiqet në samitin e Uashingtonit, vitin e ardhshëm, pas një dekade në detyrë.

    Ka thashetheme për një shefe të parë grua të aleancës ushtarake, por mos e përjashtoni as kryeministrin në largim të Holandës, Mark Rutte, ose Pedro Sanchezin e Spanjës, nëse ai nuk arrin të krijojë një qeveri të re.

    Siguria kibernetike, gjithashtu, po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për aleancën. Konferenca e saj e parë për sigurinë kibernetike do të mbahet në nëntor në Berlin. Do të mbledhë udhëheqës politikë të nivelit të lartë, ekspertë ushtarakë dhe potencialisht lojtarë të sektorit privat.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të jetë më 7 shtator në Bruksel. Mes tjerash do të vizitojë edhe selinë e NATO-s, për të shkëmbyer informacione për zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë.

    NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë në muajin maj, pasi trupat e saj paqeruajtëse të KFOR-it janë sulmuar nga disa protestues serbë.

    Tensionet janë rritur pasi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë marrë detyrën, me gjithë revoltën e popullatës lokale serbe.

    Një javë më vonë, më 14 shtator, Brukseli do të presë udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve. Do të jetë takimi i parë i tillë që nga episodi i dhunshëm në veri. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Oda Amerikane kërkon heqjen e masave për importet nga Serbia

    Lajmi i rradhës

    Dhuna ndaj mësuesve në Gjermani

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë