Normalizohet transporti publik në Shkup

    Fotografia: Ilustruese

    Në orën 10 të mëngjesit në xhirollogaritë e punonjësve të Ndërmarrjes për Qarkullimit Publik mbërriti rroga e shtatorit. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Shoferëve, Afrim Muça tha se transporti publik po funksionon normalisht. Ai shtoi se kanë marrë premtim nga kryetarja e Qytetit se vonesë të rrogave nuk do të ketë as për muajt e ardhshëm.

    “Qëllimi u arrit. Pagat u paguan sot në orën 10. Na premtoi se edhe pagat për muajin tetor dhe nëntor janë të sigurt dhe se edhe ato do të paguhen. Por edhe se kur të bëhet rishikimi i buxhetit për vitin 2023 dhe atëherë nuk do të kemi asnjë lloj problemi”, deklaroi Afrim Muça- kryetar i Sindikatës së Pavarur të Shoferëve.
    Me të pranuar rrogat, shoferët tërhoqën autobusët nga para objektit të Qeverisë.

    Pavarësisht se Qyteti i Shkupit siguroi para për rrogat e muajve të fundit të këtij viti, mbetet e hapur dilema se në çfarë formë do të vazhdojë ky institucion të kërkojë paratë të cilat pretendon se i detyrohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

    Dje disa nga autobusët e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik nuk dolën nga parkingu dhe disa të tjerë u parkuan para Qeverisë, si shenjë revolte e të punësuarve që nuk kishin marrë rrogën e shtatorit edhe pse afati i fundit me ligj është data 15. Të punësuarit protestuan para objektit të NQP-së, sepse siç thanë parat e tyre duhet t’i lëshojë punëdhënësi, ndërsa sekretari i Qytetit të Shkupit dhe Drejtori i ndërmarrjes protestuan para Qeverisë. Nga Qyteti i Shkupit kërkuan që ekzekutivi dhe komunat të shlyejnë borxhet ndaj kësaj ndërmarrje, që e njëjta të funksionojë normalisht. NQP është një nga ndërmarrjet publike me borxh më të madh. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Gjyqësia në vend është nën sulm dhe kërcënime nga ana e elitave politike me qëllim të ndikimit ndaj tyre”

    Lajmi i rradhës

    Të punësuarit në çerdhe nuk kanë marrë pagën e shtatorit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë