Nuk kemi autostradë, por në Korridorin 8 lëvizin më shumë automjete se në Korridorin 10 (Infografik)

    Ndërtimi i Korridorit 8 për Maqedoninë për momentin është investimi më i leverdishëm nga Korridori rrugor 10. Të dhënat nga numërimi automatik dhe manuel i automjeteve në segmentet rrugore të këtyre dy korridoreve që kalojnë nëpër vendin tonë tregojnë se në rrugët prej Shkupit deri në kufirin maqedonaso-shqiptar ka frekuencë më të madhe të automjeteve nga Korridori rrugor 10, shkruan Meta.mk.

    Frekuenca e automjeteve në korridoret rrugore 8 dhe 10 në vitin 2022, infografik nga Meta.mk
    Frekuenca e automjeteve në korridoret rrugore 8 dhe 10 në vitin 2022, infografik nga Meta.mk

    Megjithatë, Maqedonia para disa vitesh plotësisht e përfundoi realizimin e autostradës nga Tabanoci deri në Gjevgjeli, ndërsa në Korridorin 8 për momentin qarkullohet ose nëpër autostradë plot me gropa (Tetovë- Gostivar) ose aspak nuk është ndërtuar autostradë (Gostivar-Kërçovë-Ohër dhe Ohër-Strugë-Qafë Thanë).

    Meta.mk kërkoi të dhënat nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore për qarkullimin mesatar ditor në vit (QMDV) nëpër rrugët e Maqedonisë për vitin 2022. Pikërisht QMDV-ja është një ndër indikatorët kyçë që tregojnë se në cilat kahje rrugore duhet të investojë shteti në periudhën në vijim. Rrugët me frekuencë më të madhe të automjeteve duhet të kenë prioritet në investime, kundrejt atyre ku numri i automjeteve, kamionëve dhe autobusëve është më i vogël.

    Vitin e kaluar në Maqedoni më se shumti automjete ka pasur në autostradën Tetovë-Gostivar dhe në hyrjet para kryeqytetit. QMDV ndërmjet Hipodromit dhe Kadinos në hyrje të Shkupit ka qenë 18.406 automjete, ndërsa midis Tetovës dhe Gostivarit mesatarisht vitin e kaluar në ditë kanë qarkulluar nga 17.428 automjete. Edhe në qarkoren e Shkupit është regjistruar frekuencë e jashtëzakonshme e automjeteve, kështu QMDV midis kyçjeve Stenkovec dhe Saraj ka qenë 16.931 automjete, ndërsa ndërmjet Milladinovcit dhe Hipodromit ka pasur nga 15.493 automjete në një 24 orësh.

    Frekuencë jashtëzakonisht e lartë automjetesh në vitin 2022 është matur edhe në autostradën Shkup-Tetovë, kështu ndërmjet Sarajit dhe Grupçinit mesatarisht në ditë kanë kaluar 15.744 automjete, ndërsa ndërmjet Grupçinit dhe Tetovës 14.980 automjete. Kundrejt kësaj, në Korridorin rrugor 10 autostrada më e frekuentuar është ajo midis Petrovecit dhe Velesit, ku vitin e kaluar janë matur mesatarisht nga 10.795 automjete në ditë.

    Në të gjithë segmentet në jug të Gradskos në autostradën që e lidh vendin tonë me Greqinë në vitin 2022 ka pasur qarkullim mesatar prej 7.000 automjete në ditë, gjegjësisht numri i automjeteve që kanë qarkulluar në këto segmente është më i vogël se frekuenca e qarkullimit në rrugët midis Gostivarit dhe Kërçovës ose midis fshatit Trebenishtë të Ohrit dhe kufirit maqedono-shqiptar në Qafë Thanë.
    Nëse nxirret një mesatare nga të gjithë segmentet rrugorë që shtrihen në Korridorin 8 drejt Shqipërisë, kundrejt atyre ku kalon Korridori 10 panevropian, rrjedh se Maqedonia në vitin 2022 ka pasur frekuencë më të madhe të automjeteve në drejtim të perëndimit kundrejt boshtit veri-jug.

    Njëherit, disa segmente të Korridorit 8 janë në gjendje shumë më të keqe se autostrada midis Tabanocit dhe Greqisë. Më i hidhur është problemi me atë që quhet autostratë midis Tetovës dhe Gostivarit, ku shpejtësia maksimale e lëvizjes në pjesën më të madhe është e kufizuar në 80 kilometra në orë. Ky segment është përplot me gropa dhe asfalt jo të rrafshët dhe të valëzuar, edhe pse qytetarët për çdo kalim paguajnë taksë rrugore. Është posaçërisht i rrezikshëm, sepse nuk ka asnjë korsi ndihmëse për të ndaluar automjetet.

    Gjithashtu, numërimi i automjeteve tregon se autoritetet maqedonase duhet të kushtojnë kujdes të veçantë ndaj investimeve edhe në disa rrugë të tjera në vend. Kështu, numri mesatar ditor i automjeteve në rrugën Strugë-Vevçan vitin e kaluar ka qenë 12.592 automjete, ndërsa Strumicë-Dabile-Novosellë ka pasur mesatarisht 11.640 automjete në ditë.

    Numër jashtëzakonisht i madh automjetesh në vitin 2022 është vërejtur edhe tek disa rrugë në rajonin e Shkupit (Maxhari-Katllanovë, Draçevë-Sopishte-Gorvllovë) dhe në rajonin e Pollogut (Tetovë-Tearcë), ku në të gjithë këto segmente rrugorë vitin e kaluar kanë qarkulluar mesatarisht nga 8.000 automjete në ditë.

    Të dhënat e NP për Rrugët Shtetërore tregojnë se frekuenca mesatare e automjeteve vitin e kaluar në rrugën prej te kyçja në Stenkovec deri në kufirin maqedonaso-kosovar në Bllace ka qenë 6.985 automjete në ditë, ndërsa numër pothuajse identik të automjeteve ka pasur edhe në autostradën Milladinovc-Preod-Kadrifakovë (QMDV, 7009 automjete).

    Interesante është të përmendet edhe për frekuencën e automjeteve në Korridorin rrugor 10d, kështu midis Prilepit dhe Manastirit vitin e kaluar janë matur mesatarisht 4.469 automjete në ditë, ndërsa QMDV në rrugën midis Rosomanit dhe Prilepit ka qenë 5.367 automjete.

    Në kahjet kryesore rrugore, vërehet se Korridori rrugor 8 drejt Bullgarisë ka pasur frekuencë jashtëzakonisht të ulët të qarkullimit edhe në vitin e kaluar. Kështu, ndërmjet fshatit Konjare dhe Stracin të Kumanovës ka pasur nga 2.846 automjete në ditë, QMDV midis Stracinit dhe Kriva Pallankës ka qenë 2.964 automjete, ndërsa midis Kriva Pallankës dhe Deve Bairit kanë qarkulluar mesatarisht nga 1.944 automjete në ditë.

    Nuk kemi parashikim për frekuencën e ardhshme të automjeteve në Korridoret 8 dhe 10d.
    Përveç të dhënave në dispozicion mbi qarkullimin mesatar ditor në vit për rrugët e Maqedonisë, nga NP për Rrugët Shtetërore për Meta.mk informojnë se tani për tani nuk kanë bërë një projektim mbi frekuencën e pritshme të ardhshme të automjeteve që do të ndërtohen në Korridoret 8 dhe 10d.

    Edhepse është lajmëruar ndërtimi i katër segmenteve autostrada nga ana e konzorciumit amerikano-turk “Behtel-Enka”, nga NP për Rrugët Shtetërore thonë se në këtë fazë nuk mund të tregojnë se sa pikëpagesa rrugore dhe në cilat lokacione do të ndërtohen ato në autostradat Gostivar-Kërçovë, Trebenishtë-Strugë-Qafëthanë dhe Manastir-Prilep. Megjithatë, e vetmja gjë që dihet është se në autostradat e ardhshme do të ketë pikëpagesa rrugore.

    Sa i përket interesit të madh tek publiku në lidhje me ndërtimin e autostradave nga “Behtel-Enka” në këtë periudhë, nga NP për Rrugët Shtetërore përgjigjen se paralelisht po punohet edhe në përfundimin e punimeve ndërtimore te projektet tashmë të filluara. Deri në fund të këtij viti duhet të përfundojë realizimi i autostradës Kërçovë-Ohër, që e ndërton kompania kineze “Sinohidro”, ndërsa segmenti i autostradës nga Kërcova deri në Bukojçan në drejtim të Gostivarit do të fillojë të realizohet në teren në vitin 2024.

    Lajmi Paraprak

    Lajçak: Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë normalizim ose konflikt, BE-ja po punon për të parën

    Lajmi i rradhës

    Dyshime për pedofili, ndalohen biznesmenë të njohur nga Tetova dhe Gostivari

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë