NUK MJAFTOJNË VETËM LIGJET

    REALITETI I KOMUNITETEVE PAKICË NË KOSOVË ËSHTË NDRYSHE NGA LIGJET

    Më kujtohet para disa viteve, bleva një lule nga një vajzë, e cila para se të largohej më falënderoi për lulet duke më përqafuar. Kjo i shkaktoi parehati shoqes me të cilën isha. Më kritikoi se përse e përqafova një vajzë që asaj i dukej se ishte nga një komunitet pakicë, me gjasë, komuniteti rom. Ky qortim më bëri të shoh se sa i thelluar është diskriminimi nga komuniteteve pakicë në Kosovë, madje nganjëherë edhe tek njerëzit prej të cilëve nuk do e prisnim. 

    Përpos kësaj, më bëri të mendoj për diskriminimin e gjithmbarshëm karshi këtyre komuniteteve. Ditëlindja e katërmbëdhjetë Kosovën e gjen me një mori problemesh që e vështirësojnë jetën tonë si qytetarë. Mirëpo, kjo mori e problemeve ndihet më shumë te disa qytetarë ndër ne, tek komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë.

    Shpeshherë duke u mbështetur në argumentin se në aspektin legjislativ, komunitetet pakicë janë të mbrojtura dhe gëzojnë të drejta të barabarta, sikur vendoset në hije diskriminimi me të cilin përballen këta qytetarë në jetën e përditshme. Të thuash se Kushtetuta e Kosovës është në linjë me konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e të mburresh për kornizën ligjore ekzistuese nuk mjafton. Mjafton të dalësh në rrugë, të shkosh në lagjet ku jetojnë komunitetet pakicë, të flasësh me ta, për ta kuptuar se mburrjet me ligje janë vetëm aq –– mburrje pa ndonjë bazë. 

    Përditshmëria dhe ligjet

    Komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë përballen me vështirësi që u pamundësojnë jetesën e dinjitetshme. 

    Pothuajse përditë dëgjojmë shprehje si “mos u bëj si maxhup”, “vjen maxhupi”. Shpeshherë kur përreth meje përdoret kjo shprehje, reagoj dhe njerëzit më përgjigjen me “ah, po nuk e kam për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë e kam për këtë apo atë”, “po kjo është shprehje që më ka mbetë në kokë”. Përpos që dëgjoj arsyetime e justifikime, dëgjoj edhe një tendencë për t’i konsideruar këto shprehje si të pandryshueshme. Ky është ndryshimi i parë që duhet ta bëjmë. Të reagojmë gjithnjë me kundërshti ndaj fjalëve denigruese e përçmuese si fillim dhe të refuzojmë ta vazhdojmë përdorimin e tyre. 

    Po ashtu, një sfidë tjetër është varfëria. Para disa vitesh, në një hulumtim të K2.0, policia e Kosovës kishte thënë që nga 351 lypës sa ishin identifikuar, shumica ishin fëmijë nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë. Dëgjojmë vazhdimisht raste se si fëmijët nga këto komunitete detyrohen të braktisin shkollën, qoftë për të punuar e për të mbajtur familjet, qoftë nga pamundësia për t’i përballuar shpenzimet e nevojshme për shkollim. 

    Gjendja është poaq e rëndë nëse flasim për vendbanimet e këtyre komuniteteve. Sfidat e përditshme, edhe pse kanë arritur në njëfarë mase të bëhen publike, vazhdojnë të shpërfillen e të mos adresohen. Në “Lagjen 29” në Fushë Kosovë –– lagje e banuar nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë nuk ka ujë të pijshëm dhe ka një mori problemesh tjera që vazhdimisht shpërfillen. 

    PJESËMARRJA E KOMUNITITEVE PAKICË NË JETËN PUBLIKE DUHET TË JETË E PLOTË DHE MOS TË MBETET VETËM SIMBOLIKE.

    Në qoftë se ne duam që ta krijojmë një shoqëri me vlera të mirëfillta demokratike e që është edhe një ndër synimet tona më të rëndësishme dhe ta krijojmë një shoqëri stabile dhe të zhvilluar, duhet së pari të krijojmë një ambient ku të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës trajtohen me dinjitet dhe në mënyrë të barabartë –– të lirë nga diskriminimi. 

    Ky qëllim mund të arrihet fillimisht përmes vullnetit për të ndryshuar vetveten e pastaj përmes angazhimit të institucioneve dhe përmes përfshirjes në politikë-bërje të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë dhe organizatave jo-qeveritare që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut. 

    Pjesëmarrja e komuntiteve romë, ashkali dhe egjiptianë në jetën shoqërore, jetën politike, ekonomike dhe kulturore si qytetarë të barabartë është faktor themelor për krijimin e një shoqërie që nuk përjashton.

    Pjesëmarrja e komunititeve të lartëmpermendura duhet të jetë e plotë dhe mos të mbetet vetëm simbolike. Promovimi i vlerave te barazisë, paqes dhe diversitetit duhet duhet te jetë i vazhdueshëm dhe i pranishëm çdo herë në trajnime të ndryshme, forume apo diskutime të hapura në institucione të ndryshme me theks të veçantë në shkolla. Në këto forume, apo diskutime duhet të shtjellohen sa më shumë tema rreth konecpeteve të lartëpërmendura në mënyrë që shoqëria të ndërgjegjësohet dhe sjelljet të ndryshohen.

    Kjo natyrisht mund të arrihet edhe përmes rrjeteve sociale dhe mediave në përgjithësi. Besoj se mediat dhe rrjetet sociale do kishin një ndikim jashtëzakonisht të madh dhe do sillnin rezultate në vetëdijsimin e shoqërisë rreth rëndësisë së mbrojtjes së të drejtave të barabarta. Pra, nevojitet mobilizim i përbashkët për t’i sfiduar padrejtësitë e jo fjalë boshe. /Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    NATO, e gatshme të garantojë sigurinë në Ballkan

    Lajmi i rradhës

    Nga 1 marsi, parkimi zonal në Shkup do të jetë më i lirë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë