Numër i vogël i shtëpive botuese shqiptare në panairin e librit në Shkup

    Dashamirët e librit shfrytëzuan edhe sot panairin për të blerë tituj të ri dhe për të pasuruar bibliotekën e tyre. Në ditën e fundit të Panairit të Librit 2025 përfaqësuesit e disa shtëpive botuese u shprehën pjesërisht të kënaqur me numrin e vizitorëve dhe shitjen e librave. Nga vërejtjet më të theksuara ishte numri i vogël i shtëpive botuese shqiptare dhe sistemimi jo i përshtatshëm i tyre.

    “E para është se këtu vetëm disa shtëpi botuese vijnë, si zakonisht katër ose pesë edhe pse në konkursin e Ministrisë së Kulturës për botime paraqiten ndoshta 20 botues të cilët janë fiktiv dhe asnjëherë nuk i sheh, në asnjë mënyrë librat e tyre nuk qarkullojnë as në panaire as nëpër vitrinat e librarive. Ne jemi disi sikur në geto, ashtu edhe na kanë lënë në një cep edhe pak vizitorë”, tha Agim Abazi, Shtëpia Botuese “Furkan”.

    Një shqetësim tjetër i botuesve ishte interesimi për të lexuar në gjuhën angleze kundrejt gjuhës amtare.

    “E vetmja sfidë që kemi, ne botuesit në gjuhën maqedonase dhe shqipe kemi problem se fëmijët tashmë më shumë lexojnë në gjuhën angleze. Problemi më i madh është të përballemi me librat në gjuhën angleze dhe këtë gjuhë. Ne si grupe më të vogla të gjuhëve vlerësoj se duhet të bëjmë të pamundurën ti mësojmë të lexojnë në gjuhën e tyre amtare”, u shpreh Filip Batkovski, Shtëpia Botuese “Bata Pres”.

    “Po mendonim çfarë të blejmë. Unë po mendoja të mar një libër në gjuhën angleze ose një libër dashurie”, tha një nxënëse.

    “Nëse flasim në gjuhën angleze kam frikë mos e humbim gjuhën tonë maqedonase megjithatë vlerësoj se është OK për të përmirësuar veten, për të mësuar më shumë gjëra të reja”, u shpreh një nxënëse.

    Më shumë se 65 botues morën pjesë në edicionin e 37-të të Panairit të Librit në Shkup nga 8 deri më 14 maj. Nga çdo biletë të blerë, Panairi i Librit do të dhurojë 15 denarë për Fshatin e Fëmijëve SOS. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Këto sende nuk duhet t’i lani kurrë në lavatriçe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë