Numër rekord i gazetarëve të burgosur më 2021

    Numri i gazetarëve të burgosur në mbarë botën shënoi rekord të ri në vitin 2021, tha Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

    Në raportin e publikuar të enjten bëhet e ditur se 293 gazetarë janë burgosur gjatë këtij viti, për shkak të punës së tyre.

    Në vitin 2020, gazetarë të burgosur kanë qenë 280. Është ky viti i gjashtë radhazi që Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve regjistron së paku 250 gazetarë të burgosur.

    Për më tepër, sipas organizatës, 19 gazetarë janë vrarë në shenjë hakmarrjeje për punën e tyre deri më 1 dhjetor të këtij viti. Gjatë gjithë vitit 2020, numri i gazetarëve të vrarë ka qenë 22. Tetëmbëdhjetë të tjerë kanë vdekur në rrethana shumë të errëta dhe është e vështirë të përcaktohet nëse janë vrarë, tha raporti.

    Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se tre gazetarë u vranë gjatë këtij viti teksa raportonin nga zonat e konfliktit, ndërkaq dy të tjerë u vranë gjatë mbulimit të protestave të dhunshme.

    Për të tretin vit me radhë, Kina është shteti me më së shumti gazetarë të arrestuar, shtet në të cilin janë të burgosur 50 gazetarë. Në vendin e dytë është Mianmari për shkak të shtypjes së mediave që pasoi puçin ushtarak të shkurtit. Egjipti, Vietnami dhe Bjellorusia gjenden në pesë shtetet me më shumti gazetarë prapa grilave.

    Në mesin e shteteve që kanë përmirësim sa i përket burgosjes së gazetarëve është Turqia. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se Turqia ka liruar nga burgu 20 gazetarë gjatë vitit të kaluar, ndërkaq 18 të tjerë vazhdojnë të jenë të burgosur.

    Raporti i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se se përderisa bota gjatë vitit 2021 po përballet edhe me probleme si pandemia e koronavirusit dhe ndryshimet klimatike, qeveritë represive ishin të vetëdijshme se zemërimi i publikut ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut ishte “zbutur”.

    Të dhënat e raportit paraqesin trendin e përgjithshëm të rritjes së intolerancës ndaj raportimit të pavarur.

    Lajmi Paraprak

    Nuk posedonin certifikatë vaksinimi, arrestohen tre persona në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    Alarmi për pushtim: Rrëfimet e ushtarëve ukrainas në front

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë