Nxënësit në Zhelinë mësojnë në klasa të ftohta, drejtori arsyetohet se moti është i ngrohtë (Video)

    Ka gati një muaj që nga fillimi i sezonit të ngrohjes, nxënësit e shkollës fillore “Luigj Gurakuqi” vazhdojnë të mësojnë në klasa të ftohta. Gjendja po bëhet edhe më e rëndë për shkak të shkurtimit të ditës, ku si pasojë orët e para të ndërrimit të paradites dhe orët e fundit të ndërrimit të pasdites po bëhen të papërballueshme, kanë reaguar nga Aleanca për Shqiptarët – Zhelinë, njofton Nistori.

    “Nxënësit vazhdojnë të mësojnë në klasa të ftohta. Ditëve të fundit gjendja po bëhet edhe më e rëndë për shkak të shkurtimit të ditës, ku si pasojë orët e para të ndërrimit të paradites dhe orët e fundit të ndërrimit të pasdites po bëhen të papërballueshme. Kjo që po ndodh rrezikon grupmoshat më të ndjeshme dhe duhet të paraqesë alarm urgjent për të gjithë.” – deklaroi Denis Aliti nga ASh.

    Nga kjo parti u bëjnë thirrje autoriteteve kompetente që të veprojnë urgjentisht për të siguruar ngrohjen për nxënësit e Zhelinës, pasi që në mungesë të kushteve elementate vështirësohet edhe procesi edukativo arsimor.

    Nga ana tjetër, drejtori i shkollës “Luigj Gurakuqi” Liman Xhaferi për Nistori thotë se shkolla nuk ka mungesë të nxemjes qendrore, por për shkak të temperaturave të larta, nuk ka qenë nevoja që shkolla ta përdorë nxemjen.

    “Shkolla jonë gjithmonë ka pas nxemje, kështu që shkolla qendrore është e furnizuar me naftë, ndërsa dy shkollat territorial janë të furnizuara me peleta. Për momentin kemi restriksione nga Ministria që të kursejmë energji, e deri tash edhe koha na ka ndihmuar – ka qenë e nxehtë, ndërkaq kur do të shohim që ka nevojë atëherë do i ndezim koftorët. Ndoshta në mëngjes është pak ftohtë, megjithatë e shihni si është kohë dhe është e panevojshme të ndizet nxemja qendrore, për shkak se harxhimet janë shumë më të mëdhaja, në krahasim me vitet paraprake. ”, u shpreh Liman Xhaferi – drejtor i shkollës “Luigj Gurakuqi”.

    Xhaferi tha se ka një rregullore kur duhet të aktivizohet nxemja qendrore, gjegjësisht temperaturat duhet të bijnë nën 15 gradë celsius. Sipas tij, në shkollën e Zhelinës nuk është aktivizuar nxemja qendrore, ndërsa në Leshnicë nxemja funksionon, sepse atje është më ftohtë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Drejtorët e M-NAV tentojnë të punësojnë fëmijët e tyre në kontrollet e fluturimeve

    Lajmi i rradhës

    Cilat janë frutat dhe perimet me lëkurën si thesar vlerash

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë