Objekti i komunës së Butelit nuk do të shndërrohet në poliklinikë – Kostovski nuk e mba premtimin

    Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, i cili në fushatë parazgjedhore tha se ishte i gatshëm të lëshonte objektin e komunës që i njëjti të shfrytëzohej si poliklinikë, tani ka ndryshuar mendje.

    Sipas tij, objekti i komunës nuk do të lëshohet, sepse brenda vitit premton të nisin punimet për ndërtimin e një poliklinike të re për qytetarët.

    “Unë po luftoj që shumë shpejt dhe pse jo edhe brenda këtij viti të fillojmë me ndërtimin e një poliklinike te re, por gjithçka do të varet nga takimi me ministrin. Gjeja më e lehtë është që të ofrojmë objektin e komunës, atë mund ta bëjmë menjëherë, por do të shkojmë një hap më tutje dhe përpiqemi me gjithë forcat që brenda këtij vitit të nisim me ndërtimin e poliklinikës se re. Por sidoqoftë, brenda mandatit tim qytetarët e Butelit do të bëhen me poliklinikë të re”, deklaroi Darko Kostovski- kryetar i Komunës së Butelit.

    Në premtimin e tij gjatë fushatës parazgjedhore, Kostovski tha se prioritet do të jetë ndërtimi i një objekti të ri, por duke shtuar se një muaj pas zgjedhjes së tij, do të ofronte objektin e komunës.

    “Prioritet kryesor do të jetë ndërtimi i një poliklinike të re dhe moderne në komunën tonë, por deri sa të ndërtohet poliklinika e re, që në muajin e parë pasi të fitoj besimin tuaj dhe të bëhem kryetarë i Komunës së Butelit, unë do ta ofroj objektin e Komunës që të jetë poliklinikë e denjë për miqtë e mi, të njohurit e mi, për Butelasit e mi. Unë dhe ekipi im do të heqim dorë nga rehatia, vetëm që qytetarët e mi të gënjyer të ndihen të dinjitetshëm”, tha Darko Kostovski- kryetar i Komunës së Butelit.

    Nëse do të ndërtohet objekti I ri apo do të përfundohen objektet modulare pyetëm Ministrinë e Shëndetësisë, por deri tani nuk kemi marrë përgjigje. Parcela ku janë vendosur objektet e montuar për të cilat u tha se do të jenë poliklinika e ardhshme, ndodhet ngjitur me Komunën e Butelit. Fillimisht ishte menduar që aty të ndërtohej një objekt, por më pas autoritetet shëndetësore kishin vlerësuar se një poliklinikë modulare do të merrte më pak kohë ndërtimi, më pak mjete financiare dhe ofron efikasitet energjetik. Bartës i kontratës për ndërtimin e 10 ambulancave modulare është EMS DOO, ndërsa i gjithë projekti kushton 178.900.000 denarë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Gjaku i babës dhe trauma gërgasëse

    Lajmi i rradhës

    Australia e gatshme të ndihmojë, nëse në Europë ka mungesë të gazit rus

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë