Oda e Tregtarëve reagon ashpër ndaj vendimit të Qeverisë

    Oda e Tregtarëve me shumicë dhe pakicë nuk pajtohen me vendimin e djeshëm të Qeverisë për vendosje të marzhave për 102 grupe të produkteve. Siç thonë, këto masa nuk i mbrojnë qytetarët e rrezikuar social, por përfitimin më të madh do ta kenë klientët me të ardhura më të larta. Si shembull, japin grupin e produkteve nga mishi, të cilat ata i llogaritin si luksoze. Gjithashtu, thonë se pavarësisht paralajmërimit të Qeverisë se bëhet fjalë për rreth 1.000 produkte, në fakt sipas tyre lista përfshinë rreth 3.000 deri në 4.000 produkte. Me vendime të tilla të përshpejtuara, i shkaktohet dëm të konsiderueshëm rreth 1.085 shitoreve me rreth 9.000 të punësuar, thonë nga Oda e Tregtarëve. Kërkojnë përsëri takim me kryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë, për të shqyrtuar pasojat e këtyre vendimeve.

    “Vetëm harxhimet manipulative janë minimum 12-15%, përfshirë pagat, kontributet, energjia industriale, e nëse përfshijmë qiratë dhe kreditet, bëhen +5%. Kërkojmë që Qeveria të marrë parasysh harxhimet mbi çmimin blerës përpos marzhës së harxhimeve. Ne si tregëtarë do të ishim të kënaqur vetëm me 5% marzhë të fitimit. Tregtarët nuk kërkojnë të fitojnë shumë dhe nuk mund të punojnë me minus”, thonë nga Oda e Tregtarëve.

    Vendosjen e marzhave nuk e mbështetin as nga LSDM. Thonë se kjo masë është gjysmake dhe e vonuar. Në vend të marzhave, ata kërkojnë që të pranohen propozimet e tyre për ulje të TVSH-së për energjinë elektrike dhe heqjen e TVSH-së për mbi 200 grupe të produkteve.

    “Vendimi i fundit që të kufizohen masat është masë e vonuar, gjysmake dhe me mungesa thelbësore. Ngrirja me nivel të çmimeve nga 1 shkurti është i gabuar, sepse të dhënat nga Enti i Statistikave thonë se që në janar ka pasur rritje të çmimeve. Kjo do të thotë se ka ngrirje me çmime të shtrenjta. Qeveria duhej të kthehet prapa disa muaj dhe si shembull ti marrë ato çmime e jo këto çmime të shtrenjtuara”, deklaroi Sanja Llukarevska – LSDM.

    Dje Qeveria solli vendim për vendosje të marzhave nga 5 deri në 15 për qind për grupe të ndryshme të produkteve. 5 për qind marzhë u vendos për produkte bazë si buka, miell i llojit 400 dhe 500, qumështi, vezët, vaji për gatim, jogurti dhe kosi.

    10 për qind marzhë është vendosur për 55 produkte mes të cilave për mishin, sheqerin, prodhime nga qumështi, gjalpi, pemë e perime të konzervuara, fasule, oriz, brumëra e të tjera. 15 për qind marzhë u vendos për 39 produkte ku përfshihen ato për higjienë, pemë e perime të freskëta, ushqim për fëmijë, detergjente e të tjera.

    Për grupin e parë me marzhë 5 për qind gjithashtu u vendos të kenë çmime maksimale të pandryshueshme, ashtu siç kanë qenë më datë 1 shkurt. Kjo masë vlen nga sot, dhe do të zgjatë deri më 30 prill. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ziberi: në RMV ka rreth 400 persona që nuk kanë certifikatë të lindjes

    Lajmi i rradhës

    Përparim Bajrami dëmtoi buxhetin e shtetit me 400 mijë euro

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë