OKB: 100 për qind e banorëve të Gazës janë në rrezik nga zia e bukës

    Gaza është “vendi më i uritur në Tokë”, thanë Kombet e Bashkuara më 30 maj, duke paralajmëruar se e gjithë popullsia e territorit palestinez tani është në rrezik nga zia e bukës.

    Negociatat për dhënien fund të luftës 20-mujore në Gazë deri më tani kanë dështuar që të arrihet një përparim, me Izraelin që ka rinisur operacionet në Gazë në mars, duke i dhënë fund armëpushimit gjashtëmujor.

    “Gaza është vendi më i uritur në Tokë”, tha Jens Laerke, zëdhënësi i agjencisë të OKB-së për ndihma humanitare, OCHA.

    “Është e vetmja zonë e përcaktuar – një shtet ose territor i përcaktuar brenda një shteti – ku e gjithë popullsia është në rrezik nga zia e bukës. 100 për qind e popullsisë është në rrezik nga zia e bukës”, tha ai, duke hedhur poshtë pretendimet e Izraelit që thonë të kundërtën.

    Gjatë një konference për media në Gjenevë, Laerke dha detaje për vështirësitë që po përballet OKB-ja për të dërguar ndihma humanitare në Rripin e Gazës.

    Në ditët e fundit, Izraeli pjesërisht ka lehtësuar bllokadën e plotë të ndihmave në territorin palestinez, që e vendosi më 2 mars.

    Laerke tha se 900 kamionë me ndihma humanitare janë autorizuar nga Izraeli për hyrje në Gazë, që kur bllokada u hoq pjesërisht.

    Por, deri më tani vetëm 600 kamionë kanë dërguar ndihmë në pjesën e kufirit në Gazë, dhe vetëm një numër i vogël i tyre është marrë nga palestinezët.

    Këtë javë, Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF) – organizatë që mbështetet nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara – këtë javë ka shpërndarë ndihma nga disa qendra në Rripin e Gazës.

    Kjo organizatë është përballur me akuza se ndihmon Izraelin që të përmbushë synimet e tij ushtarake.

    I pyetur për operacionet e kësaj organizate, Laerke tha “nuk po funksionon. Nuk po përmbush nevojat e njerëzve. Po krijon kaos”. REL

    Lajmi Paraprak

    Kosovë, çka është puna e fabrikës për mbetje shtazore?

    Lajmi i rradhës

    Letonia përgatit nxënësit për luftë, fut trajnimin ushtarak si lëndë në shkolla

    Lajme tjera

    Franca nuk gjen qetësi

    Protestat masive në të gjithë Francën vazhduan edhe në fundjavë. Presioni duhet të vazhdojë, thotë një përfaqësues i…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë