OKB-ja kërkon moratorium në përdorimin e inteligjencës artificiale

    Organizata e Kombeve të Bashkuara po u bën thirrje vendeve të vendosin një moratorium në përdorimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale e cila cenon të drejtat e njeriut.

    Shefja e të drejtave të njeriut të OKB-së tha se përdorimi i kësaj lloj teknologjie paraqet rrezik serioz për të drejtat e njeriut, përfshirë sistemet e skanimit të fytyrës në hapësirat publike.

    OKB-ja ngre shqetësimin për përdorimin e teknologjisë përmes së cilës bëhet përpjekje të mësohet gjendja emocionale dhe mendore e njerëzve duke i analizuar shprehjet e tyre të fytyrës ose lëvizjet e trupit.

    Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, tha se vendet duhet të ndalojnë përdorimin e inteligjencës artificiale që nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

    OKB-ja kërkon që ndalesa të bëhet për sistemet qeveritare të “vlerësimit shoqëror” përmes së cilës i gjykojnë njerëzit bazuar në sjelljen e tyre dhe kategorizimin e njerëzve në grupe sipas përkatësisë etnike ose gjinisë.

    Inteligjenca artificiale mund të përdoret si një mjet i dobishëm, por ajo gjithashtu mund të rezultojë me efekte negative, mbase edhe katastrofike, nëse përdoret në fusha që cenojnë dhe ndikojnë në të drejtat e njeriut, tha Bachelet përmes një deklarate.

    Kombet e Bashkuara përmes një raporti kanë thënë se vendet dhe bizneset janë duke nxituar në përdorimin e inteligjencës artificiale pa marrë masa mbrojtëse të cilat parandalojnë diskriminimin dhe dëme tjera.

    Raporti nuk bën thirrje për ndalimin e plotë të teknologjisë së njohjes së fytyrës, por tha se qeveritë duhet të ndalojnë skanimin e veçorive të njerëzve në kohë reale derisa të konfirmohet se mjetet e përdorura për këtë janë adekuate dhe nuk shkelin të drejtat e njeriut.LEXONI EDHE KËTË:Sa janë të sigurta të dhënat personale në Kosovë?

    Asnjë vend nuk përmendet në raport, por ka kohë që komuniteti ndërkombëtar e ka kritikuar Kinën për përdorimin e kësaj teknologjie në veçanti në rajonin Ksinjiang, ku jetojnë pakica myslimane ujgure.

    Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka shprehur shqetësime në lidhje me përdorimin e kësaj teknologjie.

    “Është shumë e frikshme nëse mendoni për mënyrat se si intelegjenca artificiale mund të përdoret në një mënyrë diskriminuese”, tha Sekretarja Amerikane e Tregtisë Gina Raimondo gjatë një konference online në muajin qershor.

    “Ne duhet të sigurohemi që të mos e lejojmë një gjë të tillë”, pati thënë ajo.

    Lajmi Paraprak

    Rekord botëror: I riu italian mësoi përmendësh numrat e 630 shifrave për pesë minuta

    Lajmi i rradhës

    Vuçiq: Zgjedhjet në Serbi më 3 ose 17 prill

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë