Opozita maqedonase kërkon qasje burrështetase për BE-në, pushteti e quan kontradiktore

    Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi të dielën se për zhbllokimin e procesit të integrimeve evropiane nevojitet qasje e një burrështetasi, duke kritikuar kryeministrin Hristijan Mickoski për refuzimin e propozimit për Rezolutë të përbashkët në Kuvend për vijat e kuqe si mekanizëm për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare, shkruan Nistori.

    “Më vjen shumë keq që kryeministri njëherë kërkon konstruktivitet, e herë të tjera refuzon çdo propozim. Nëse kjo është pjesë e folklorit parazgjedhor apo duke mos marrë parasysh fushatën që zhvilluan vitin e kaluar, nuk mund ta them tani, por fakti është se asgjë nuk po ndodh në fushën e integrimit evropian, dhe rajoni po ecën përpara. Shqipëria po ecën përpara, Mali i Zi po ecën përpara me një plan tashmë konkret që deri në vitin 2027 ose 2028 do t’i përfundojnë plotësisht negociatat. Praktikisht jemi në një fazë ku praktikisht i kemi braktisur negociatat. Dhe kjo është gjëja më e keqe që mund të na ndodhë”, tha Filipçe.

    Ai paralajmëroi se LSDM do të përgatisë një dokument me qëndrime të qarta për integrimet evropiane.

    “Do të përgatisim një dokument që do të jetë një version pune, të cilin do ta ofrojmë gjatë kësaj jave, në të cilin besoj se do të përfshihen të gjitha aspektet që janë të rëndësishme për vendin. Do t’i përmendim të gjitha deklaratat e mëparshme, do t’i përmendim detyrimet që janë ndërmarrë në kuadër të propozimit francez dhe do të japim një propozim se si ne si LSDM besojmë se duhet të vazhdojmë më tej, me vija të kuqe të qarta dhe precize, në mënyrë që të gjithë në një tavolinë më në fund të dinë për çfarë po flasim dhe si të ecim përpara”, theksoi ai.

    Filipçe shtoi se bllokimi i procesit ka pasoja serioze, veçanërisht për të rinjtë.

    “Ajo që po ndodh tani është praktikisht vetëm humbje kohe, pastaj një rritje e madhe e zhgënjimit të qytetarëve sepse asgjë nuk po ndodh në atë fushë, të rinjtë gjithnjë e më shumë po shikojnë drejt së ardhmes jashtë, po humbasim mjete sepse as agjenda e reformave nuk po zbatohet, veçanërisht në fushën e gjyqësorit. Shteti ka humbur rreth 80 milionë euro sepse asnjë ligj që ishte i nevojshëm sipas planit të rritjes nuk u parashtrua nga Ministria e Drejtësisë”, theksoi ai, duke shtuar se është e domosdoshme qasja e një burrështetasi për të zhbllokuar procesin.

    Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, reagoi përmes një publikimi në Fejsbuk, duke e quajtur kontradiktor qëndrimin e Filipçes.

    “Ky është thelbi i besimit, të jemi të njëjtë edhe në fjalë edhe në vepra. Këtu është edhe kontradikta më e madhe te Venko Filipçe: nga njëra anë flet për ndryshime kushtetuese, nga ana tjetër për anulimin e bisedimeve nëse ka veto të re. Një qasje e tillë nuk sjell siguri, por pasiguri për drejtimin në të cilin duhet të ecë shteti”, theksoi Mucunski.

    Ai shtoi se LSDM dhe BDI me premtimet e tyre hapnin shpresë, ndërsa me presionet e brendshme e shkatërronin atë.

    “Gjatë viteve të kaluara pamë çka do të thotë politikë në veprime të shpejta dhe premtime boshe. LSD dhe BDI me çdo premtim hapnin shpresë, ndërsa me çdo presion e shkatërronin atë shpresë. Dokumentet e përbashkëta të cilat miratoheshin në Kuvend nuk sollën forcë, por dobësi – ishin përjashtuar menjëherë sapo paraqitjen ndonjë sfidë”, theksoi ai.

    Sipas tij, qeveria aktuale po ndjek një qasje tjetër.

    “Rruga jonë është e ndryshme. Punojmë në zgjidhje të cilat sjellin përparim të qëndrueshëm – jo në bllokada të cilat përsëriten. Më mirë është të tregojmë durim dhe mençuri, se sa të bëjmë veprim i cili nesër do të jetë barrë edhe më e madhe për shtetin. Kjo është qasje e një burrështetasi: të mendojmë për të sotmen, të nesërmen dhe të pasnesërmen”, deklaroi Mucunski.

    Ai përfundoi duke thënë se për pushtetin aktual, e ardhmja evropiane nuk është një frazë boshe.

    “Ekziston një ndryshim tjetër i rëndësishëm. Për ne, e ardhmja evropiane nuk është një frazë boshe – do të thotë luftë kundër korrupsionit, administratë moderne, digjitalizim, investime në rrugë, infrastrukturë dhe mundësi të reja për qytetarët. Ne besojmë se rezultatet në vend krijojnë respekt jashtë vendit. Kjo është arsyeja pse jemi të vendosur të sigurojmë një të ardhme evropiane që do të jetë e denjë, e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjithë. Populli maqedonas e meriton këtë”, theksoi Mucunski. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Rajoni i Ballkanit në udhëkryq: Tramp, Putin, Zelenski dhe dilemat e Brukselit

    Lajmi i rradhës

    Ushtarët profesionistë të ARM-së pa punësim të përhershëm, është konstatuar diskriminim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë