Opozita shqyrton ligjin për rastet e montuara

    Opozita shqiptare po shqyrton tekstin e propozim-Ligjit për rastet e montuara gjyqësore. Javën që pason pritet të dalë me qëndrim konkret lidhur me propozimin i cili aktualisht ndodhet në debat publik. Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se janë duke harmonizuar pikëpamjet e tyre si partnerë të koalicionit dhe se kërkesat e tyre do t’i artikulojnë në fazën e amendamenteve.

    Propozim-Ligji për rivlerësimin e fakteve dhe provave të përdorura si dëshmi në procedurë gjyqësore parashikon hapjen e rasteve gjyqësore për të cilat palët konsiderojnë se mund të sjellin rrjedhë të re në epilogun penal. Shumica parlamentare është shprehur e gatshme për konsensus të gjerë në Kuvend, ndërsa opozita maqedonase ka rezervat e saja vetëm në pjesën e kornizës kohore të cilën duhet të përfshi ligji.

    Arsyetimi i propozimit bazohet në raportet vjetore të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare për Maqedoninë e Veriut si: Raporti i KE-së, Raporti i DASH-it, OSBE-së, GREKO-s, Komitetit të Helsinkit etj.

    Dispozitat parashikojnë që rastet të mund të kthehen në rigjykim vetëm mbi bazën e provave të forta materiale, të papërdorura në stadin paraprak dhe që ndikojnë në sjelljen e një momenti të ri. Institucionet nuk obligohen të ndërmarrin masa për zgjerimin ose ndryshimin e epilogut gjyqësor në rast se kjo nuk buron nga vullneti i palëve të përfshira në proces.

    Me miratimin e ligjit, rastet si: “Alfa”, “Burhandenin Nuhiu”, “Almiri”, “Monstra”, “Lagja e Trimave”, “Naser Eshtrefi”, derisa ofrohen prova të reja materiale nga mbrojtja e të dënuarve dhe akuzuarve do të mund të kthehen nga fillimi. Nga ky ligj mund të përfitojnë edhe të dënuarit për 27 prillin e përgjakshëm, rigjykimin e të cilit e kërkon VMRO-DPMNE-ja. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Rikthehen negociatat për Kodin Zgjedhor

    Lajmi i rradhës

    “Kthimi në normalitet, në fund të verës”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë