ORCA në Kosovë reagon për çështjen e UT-së: Keqpërdorimi i kauzës kombëtare sjell rektor jomeritor në Tetovë

    ORCA shpreh zhgënjimin e thellë me rastin e zgjedhjes së Jusuf Zejnelit si rektor të Universitetit të Tetovës, në një proces të dyshimtë, të denoncuar nga organizatat joqeveritare lokale në Maqedoninë e Veriut.

    Vënia në krye të institucionit publik universitar të një personi që nuk ka asnjë punim shkencor në revista kredibile ndërkombëtare, e shkatërron vet institucionin dhe afekton edhe institucionet tjera të arsimit të lartë në vend dhe rajon.

    Kjo ishte koha e fundit që Universiteti i Tetovës të dilte nga moçali i mungesës së cilësisë.
    Politizimi i arsimit të lartë do të çojë në shkatërrim total të tij.

    Thirrja në emër të të drejtave minoritare dhe kauzës kombëtare shqiptare për të keqpërdorë institucionet e arsimit të lartë, nuk i shërben as komunitetit shqiptar në Maqedoni të Veriu as kombit shqiptar kudo.

    ORCA i bën thirrje Ministrisë së Arsimit në Kosovë që të zhvillojë masa shtesë për verifikimin e diplomave, në veçanti doktoratave që vijnë nga vendet fqinje të cilat kanë mungesë të sundimit të ligjit, të cilat kanë demokraci të brishtë dhe si rrjedhim politizim të skajshëm të arsimit. Nga ky restrikcion nuk do duhej përjashtuar as Shqipëria.

    Deteriorimi i cilësisë në arsimin e lartë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut përmes ndërhyrjeve politike, emërimeve jomeritore akademike në institucione të arsimit të lartë, afekton edhe cilësinë e arsimit në Kosovë sidomos në procesin e akreditimit. Diskrepanca në praktikën e aplikimit të mekanizmave të sigurimit të cilësisë të cilën Kosova e zbaton sipas standardeve evropiane (ENQA dhe EQAR), në krahasim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të cilat për arsye të ndryshme janë shndërruar në oaza të praktikave të dyshimta të fitimit të diplomave, duhet të adresohet përmes vënies së filtrave shtesë në verifikimin dhe barasvlerësimin e atyre diplomave.

    Diplomat e fituara në vendet fqinje në programe që nuk kanë kaluar filtra të mirëfilltë të akreditimit, por që akreditohen në mbledhje qeverish siç ka ndodhur deri më tani në Shqipëri, apo të cilat i shmangen kontrolleve të cilësisë duke u thirrë në të drejta minoritare të shqiptarëve siç ndodhë në Maqedoninë e Veriut, nuk duhet të pranohen me automatizëm në Kosovë. Cilësia e arsimit është prioriteti i vetëm kombëtar. Shmangia e cilësisë në emër të kauzave kombëtare është kundër interesit kombëtar.

    Lajmi Paraprak

    Vendimi i BDI për Ramiz Merkon / Osmani: Nuk e kemi larguar plotësisht nga partia

    Lajmi i rradhës

    Fraksioni brenda BDI: Mjaft shpërdorimeve dhe ndikimeve politike në UT

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë