Osmani: Mesazhet ruse janë kërcënim klasik

    Maqedonia e Veriut do të koordinohet me shtetet anëtare të BE-së e NATO-n, lidhur me hapat e mëtejmë, pas vendimit të Qeverisë së Federatës ruse, përkatësisht pasi Qeveria e Federatës Ruse miratoi një listë të shteteve dhe territoreve të huaja, që, siç tha, kryejnë veprime jomiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj.

    “Sigurisht, nëse kemi të dhëna për shkelje të Konventës së Vjenës, për rregullat e sjelljes, do të veprojmë në mënyrë dypalëshe, por për sa i përket mesazheve politike që do t’i dërgonim Federatës Ruse, do t’i marrim të gjitha ato vendime, së bashku në koordinim me BE-në”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

    Ministri Osmani e ka quajtur “të pahijshme” dhe “kërcënim klasik” një njoftim të Ambasadës ruse në Shkup se “me vëmendje të madhe po ndjek nivelin e paprecedent të rusofobisë në një numër vendesh të huaja në dritën e operacionit ushtarak special në Ukrainë”.

    Ambasada ruse ka paralajmëruar “se të gjitha incidentet e tilla janë regjistruar me kujdes, do të monitorohen nga afër dhe do të raportohen tek autoritetet kompetente ligjore, që fajtorët të shpallen përgjegjës sipas ligjeve në fuqi”.

    “Është një deklaratë e pahijshme. Paraqet kërcënim klasik, që nuk ka të bëjë vetëm me vendin tonë, por është shpallur në gjithë botën, para së gjithash në Evropë. Ne e interpretojmë si të tillë, si kërcënim serioz që është jashtë komunikimit normal diplomatik mes dy vendeve. Ne do të koordinohemi në Ministrinë e Jashtme dhe do të dalim me qëndrimin tonë”, ka deklaruar Osmani.

    Ai ka thënë se qëndrimi i Maqedonisë së Veriut lidhur me agresionin rus është shprehur qartë.

    “Ne e dënojmë agresionin, mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe do t’u bashkohemi të gjitha vendimeve të BE-së në dënimin e agresionit, si dhe në definimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Federatën Ruse”, ka shtuar Osmani.

    Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

    Lajmi Paraprak

    Orteku i Urës… në Mal të Zi

    Lajmi i rradhës

    DITA E MËSUESIT | “Politika të mos përzihet në organizimin e arsimit, politika të jetë jashtë arsimit”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë