Osmani: Mjaftë më! Kjo është mundësia e fundit për t’i shpëtuar marrëdhëniet RMV – Bullgari

    Shpëtimi i marrëdhënieve mes vendeve tona do të varet nga ajo nëse Bullgaria do ta tërheqë veton në qershor, por këtë vendim duhet ta sjellë Sofja zyrtare. Këtë e deklaroi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani i cili shtoi se Maqedonia ka bërë gjithçka që kërkohej dhe e harxhoi gjithë energjinë për të arritur një marrëveshje me Bullgarinë. Një ditë do të duhet të vihet një linjë dhe të thuhet – mjaft më me këto frustrime dhe zhgënjime të pafundme. Këtë ua themi të gjithëve, por edhe Bullgarisë me qëllim që në qershor të mos humbet mundësia për ta shpëtuar atë që është ndërtuar deri tani, theksoi Osmani.

    “Ndoshta ky do të jetë shansi i vetëm dhe i fundit për t’i shpëtuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona, sepse konsideroj se në të ardhmen do të ketë gjithnjë e më pak energji politike. Mendoj se duhet të ulet dhe të thuhet hapur – jemi seriozë sa i takon kësaj pune ose do të vazhdojmë ta luajmë këtë proces në këtë mënyrë. Mendoj se mjafton më“, theksoi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

    Marrëveshja me Bullgarinë mbetet shtyllë e rëndësishme në marrëdhëniet e mëtutjeshme dhe askush nuk guxon ta vë në pikëpyetje, por esenca po humbet gjatë përpjekjeve për tejkalimin e dallimeve për t’i startuar negociatat, nënvizon Osmani. Pas seancës së mbajtur qeveritare mes Maqedonisë dhe Bullgarisë ishte planifikuar të ketë edhe një seancë të tillë, por shefi i diplomacisë maqedonase, tha se në këto kushte me shumë gjasa ajo nuk do të mbahet.

    “Plani ynë ishte dhe vazhdon të jetë që diku kah fundi i majit të mbahet seanca e dytë ndërqeveritare mes RMV-së dhe Republikës së Bullgarisë. Por, kjo do të varet pak edhe nga procesi tjetër politik, sepse me të vërtetë nuk mendoj se në qoftë se ky procesi politik i bisedimeve dështon ne duhet të tregojmë se kemi raporte të mira në grupet e tjera pune, pasi kjo do të ishte paradë, e nuk do të kishte asnjë esencë në këtë“, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

    Osmani tha se përpjekjet për kapërcimin e kontestit me Bullgarinë do të vazhdojnë edhe në javët në vijim derisa të përfundojë mandati i Presidencës franceze. Shpreson se gjatë javëve të ardhshme do të ndërmerren hapa konkretë. Edhe njeriu u parë i VMRO-DPMNE-së, pret nga BE-ja të japë dritë jeshile për bisedimet aderuese të vendit.

    “I inkurajoj liderët e vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian, ashtu siç u bashkuam rreth shkeljes së së drejtës ndërkombëtare në Ukrainë, të bashkohen edhe rreth shkeljes së së drejtës ndërkombëtare kur bëhet fjalë për Maqedoninë dhe të drejtën që po shkelet dhe kontestohet nga një vend-anëtar i BE-së. Për shkak të kërkesave të tyre hegjemoniste në periudhën e kaluar, na pengonin që t’i fillonim negociatat”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Dje, edhe Presidenti Stevo Pendarovski tha se në qoftë se në Samitin e BE-së që duhet të mbahet kah fundi i qershorit, sërish nuk i startojmë negociatat, atëherë do të duhet dalëngadalë ta reduktojmë presionin në vend dhe të orientohemi drejt reformave të brendshme. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Shtatë vjeçari nga Tetova që i zgjidh detyrat e shkollë së mesme (Video)

    Lajmi i rradhës

    Për artistët rezistentë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë