Tetova pastron Çairin, e harron veten! (Foto)

    Një shprehje e urtë popullore thotë: pa e pastruar oborrin tënd, mos shko te i tjetrit. Ndërkohë Tetova po mbytet nga mbeturinat, pothuajse në çdo lagje, sot nga komuna e Tetovës vendosën që ta ndihmojnë Çairin në mbledhjen e mbeturinave, pasi kjo e fundit u përball këto ditë me probleme në Higjienën komunale Shkup. I pari i komunës së Çairit, Visar Ganiu njoftoi në Facebook se zgjidhjes së problemit me mbeturinat në komunën që udhëheq ai, i është bashkangjitur edhe Komuna e Tetovës, por kjo gjë nuk ka kaluar pa u kritikuar nga OJQ-të dhe qytetarë të Tetovës në rrjetet sociale, shkruan Nistori.

    Ardonit Ismaili, mobilizator i Komunitetit pranë Projektit Support Electoral Reforms për Nistorin thotë se ky gjest i komunës aq sa është për ta përshëndetur, por njëkohësisht e vlerëson të pasinqertë, pasi kjo vjen në kohën kur Tetova ka me bollëk probleme në aspektin e mjedisit.

    “Gjestin e ofrimit të ndihmës për Komunën e Çairit, për mendimin tim duhet përshëndetur për shkak të humanizmit që përmban ky gjest, dhe nga shkaku i kaosit ekologjik që mbizotëron në komunat fqinje, me plot të drejtë nga bojkoti i punëtorëve të Higjienës Komunale të Shkupit. Por në anën tjetër, Komuna e Tetovës duhet të merr parasysh kritikat e shoqërisë civile në tematikën e ekologjisë ku duhet të rregulloj intervenimin në pastrimin e ambienteve publike jetësore, të shtoj inspektimin, ndjekjen dhe dënimet e ndotësve potencial nëpërmjet inspektorëve ekologjik dhe të jetë transparent në menaxhimin e ndërmarrjes ku kemi raste që gjatë monitorimit raportohet për mos kryerje të punës nga institucionet përkatëse nga shkaku i mos marrjes së pagave të rregullta të punëtorëve të NPK Tetova“, shprehet Ismaili.

    “Ndihma ndërvëllazërore te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë prezente në të gjitha sferat jetësore, mirëpo pa e pastruar oborrin tënd z. kryetar nuk ka logjikë që të ndihmohen oborret tjera” – Xhelal Elmazi – qytetar.

    Këshilltari komunal i Tetovës, Ahmet Rexhepi nga radhët e BDI-së, kritikon kryetarin e komunës së Tetovës, sepse Bilall Kasami fillimisht duhet t’u përkushtohet detyrave dhe premtimeve parazgjedhore, të cilat aspak nuk është duke i përmbushur, e më pas të ndihmojë komunat tjera që nuk janë kompetencë e tij.

    “Në kushte kur Tetova është e stërmbushur me mbeturina gjithandej, ku qyteti kundërmon me erë të rëndë në këtë mot të nxehtë vere, konsiderojmë se kryetari i komunës së Tetovës, fillimisht duhet t’u përkushtohet detyrave dhe premtimeve parazgjedhore për të cilat qytetari i dha besimin, gjë që të cilën nuk është aspak duke e realizuar, e më pastaj të ofron ndihmë eventuale për komunën e Çairit. Është tejet jo serioze madje edhe fyese për qytetarët mos pastrimi i mbeturinave të qytetit tonë. Andaj, vlerësoj se dërgimi i ekipeve eventuale të ndërmarrjes në komunën e Çairit është vendim irracional dhe i pakuptimtë!”, deklaron Rexhepi.

    Visar Palloshi – Këshilltar komunal i Tetovës nga radhët e PDSh-së
    NPK “Tetova” fillimisht duhet t’iu lëshojë pagat puntorëve të ndërmarrjes që ta pastrojnë qytetin tonë e pastaj kryetari i komunës së Tetovës t’u del në ndihmë qyteteve tjera. Kjo për shkak se me ditë të tëra kontejnerët e mbeturinave në Tetovë janë të stërmbushura dhe kundërmojnë nga era në këto ditë vere.

    Eco Guerilla e quan populizëm gjestin e komunës së Tetovës, sepse ka netë të tëra që kundërmon qyteti nga djegia e mbeturinave, në vend që të pastrohen.

    “Solidarizimet në raste të këtilla gjithmonë janë për t’u përshëndetur. Mirëpo kur vetë Tetova është në gjendje kaotike me mbeturinat dhe kur javën e kaluar disa netë me radhë digjeshin mbeturina, ka diçka që nuk shkon. Kjo mund të vlerësohet më tepër si bashkëpunim politik i dy subjekteve se sa në mes dy komunave. Ajo që Tetova ka nevojë urgjente do ishte psh. huazimi i cisternave me ujë për larjen e rrugëve të Tetovës nga pluhuri i madh në këto ditë vere”, thonë për Nistorin nga Eco Guerilla.

    Nistori kontaktoi edhe kryetarin e Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi, për ta pyetur për rastin në fjalë, por nuk u përgjigj në telefon.

    Ndryshe, nëse tetovarët duan qytet më të pastër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami u bëri thirrje qytetarëve që të jenë më të ndërgjegjshëm në shlyerjen e obligimeve ndaj NPK Tetova, pasi punonjësve të ndërmarrjes nuk u janë paguar rrogat e fundit. Borxhi i NPK Tetova nga periudha 2005-2023 është mbi 1 milionë e 707 mijë euro. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Mbi 70 % e shkupjanëve të anketuar, nuk janë të kënaqur me punën e Arsovskës

    Lajmi i rradhës

    Burri nga Iowa dëshiron që ta thyejë rekordin botëror për koleksionin më të madh të lapsave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë