Paga mesatare po rritet, por qytetarët ankohen: shtrenjtimet po e zbehin rritjen e pagës

    Paga mesatare neto e paguar në prill të vitit 2025 është 45.452 denarë, që shënon rritje prej 10.6% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave. Pavarësisht kësaj rritje të regjistruar nga statistika, qytetarët thonë se janë lënë në mëshirë të fatit, çmimet janë në tavan, ndërsa pagat nuk mjaftojnë.

    “Për momentin rrogat nuk janë rritur, por duhet të rriten edhe më shumë, për shkak se gjithçka është shtrenjtuar shumë”, tha një qytetar.

    „Mendoj se ka mjaft nevojë për rritje të pagave, dhe unë vetë nuk kam ndjerë asnjë rritje. Çdo ditë ka çmime të reja, çdo ditë kur shkon në market, çmimet nuk janë si dje, janë të ndryshme. Mendoj se qytetari i thjeshtë, ata njerëz që jetojnë me të ardhura personale, ku bëj pjesë edhe unë, nuk do ta vërejnë që ka ndonjë rritje të pagave”, u shpreh një qytetar.

    „Rroga është katastrofë, shumë e ulët, kurse këtu kur hyn në dyqan, çdo gjë është e shtrenjtë dhe nuk mund të blesh asgjë”, deklaroi një qytetar.

    Nga Statistika thonë se rritja e pagave vjen kryesisht për shkak të rritjes së pagave në disa sektorë si shëndetësi, mbrojtje sociale, arsim, e të tjerë. Ndërsa statistika shënon rritje të pagave, shporta e konsumit po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami mbështet Manifestin e SPGM-së për shpëtimin e mediave lokale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë