Paga minimale në Maqedoni në mars 2025, do të rritet në 24.5000. Kërkesa e sindikatave për rritjen e saj në 450 euro si duke do të mbetet vetëm dëshirë dhe larg realitetit. Sindikatat dhe Punëdhënësit janë në taborë të kundërta për rritjen e pagës minimale jashtë harmonizimit të rregullt të saj në pranverë të vitit të ardhshëm. Qeveria porosit se për ta është e pranueshme çdo marrëveshje e arritur midis dy palëve. Sindikalistët thonë se rritja e pagës minimale imponohet edhe nga fakti punëtorët marrin paga mizerabël dhe nga mungesa e fuqisë punëtorë.
Për më tepër shtojnë se në Maqedoni 25.000 punëtorë marrin pagë të barabartë me pagën minimale, dhe 10.000 punëtorë marrin pagë nga një denar deri në 22.000 denarë, por ajo që është dëshpëruese është se të gjithë këta punëtorë marrin pagë në një zarf për të cilin nuk paguhen kontribute nga sigurimet shoqërore të detyrueshme dhe kjo i kushton shtetit rreth 250 milion euro në vit, apo kontribute të papaguara në Fondin Pensional. Në favor të rritjes së pagës minimale thonë se në shtetet e rajonit ajo është 600 euro në Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të zi.
Numri një i Sindikatave, Sllobodan Trendafillov thotë se rritja me 22-23% nuk do të krijojë një barrë të madhe financiare për buxhetin, sepse pagat në sektorin publik tashmë janë mbi minimumin për 10 për qind, dhe me zbatimin e marrëveshjes kolektive pritet një rritje shtesë e tyre prej diku 12 për qind.
Eksperti Marjan Petreski, thekson se për paga më të larta në mënyrë të qëndrueshme nevojitet produktivitet më i lartë, i cili së bashku me rritjen e punësimit do të sigurojë qëndrueshmëri më të madhe të financave të pensioneve. Pagat, thekson Petreski, janë rritur dukshëm në vitet e fundit. Siç sqaron hulumtimi i tyre, rreth 2/3 e presionit për rritjen e pagave vinte nga presioni i tregut, sepse tregu po përballet vazhdimisht prej disa vitesh me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, e cila nga ana e saj u krijua nga rritja e punësimit dhe emigracioni. Dhe e treta , presioni erdh nga lëvizjet e qeverisë për pagat, kryesisht ato ad hok rritje të mëdha të pagës minimale.
Pra, është e gabueshme që në Maqedoni, në këtë fazë të zhvillimit, të vendoset një fokus i fortë në shpërndarjen dytësore, përmes taksave, pagës minimale etj. Jemi ende në një fazë ku është më e rëndësishme të krijojmë “kekun” më të madh të mundshëm dhe për këtë kemi nevojë për më shumë produktivitet, i cili vjen me më shumë arsim , më shumë investime në shkathtësi dhe etikë pune, pastaj me investime në pajisje fizike, teknologji, me risi, edhe me inovacione…. Kështu, të krijojmë produkte me një vlerë të shtuar më të lartë që bota do të dëshirojë t’i blejë me çmim të lartë, do të thotë orientim nga eksporti, sepse jemi një ekonomi e vogël. Kjo është rruga për rritje të qëndrueshme të pagave, të cilat së bashku me rritjen e punësimit do të sigurojnë qëndrueshmëri më të madhe të financave pensionale, thekson Petreski.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e LSDM-së, Kristina Kostova, në një konferencë për media tha se në vitin 2025 është e nevojshme ngritja e pagës minimale në 500 euro.
“Nuk duhet të lejojmë që punëtorët të lihen në margjinat e shoqërisë… Rritja e pagës minimale nuk është vetëm domosdoshmëri ekonomike, por edhe përgjegjësi morale e çdo qeverie. Me këtë ritëm të rritjes së kostos së jetesës, tashmë është maturuar nevoja për një pagë minimale prej 500 euro, në mënyrë që qytetarët të kenë një jetë të denjë dhe të mbulojnë nevojat bazë mujore për ushqim dhe shërbime. Nëse Qeveria dhe Mickoski kujdesen vërtet për qytetarët siç thonë ata, atëherë në vitin 2025 do ta rrisin pagën minimale në 500 euro, për të mbrojtur standardin e punëtorëve dhe familjeve të tyre”, tha Kostova.
Rritja e pagës minimale do të realizohet në përputhje me ligjin thonë përfaqësues të biznesit.
“Qëndrimi jonë është se rritja paushale e pagës minimale nuk çon në përparim dhe rritje të ekonomisë së një vendi. Ne kemi një ligj për pagën minimale, respektojmë ligjin, punojmë institucionalisht dhe çfarë do të jetë në mars si rezultat i punës së vitit të kaluar kjo do të jetë objekt diskutimi”, theksojnë nga Organizata e Punëdhënësve.
Ndryshe, çdo vit në muajin mars paga minimale do të përshtatet sipas të dhënave të Entit Statistikor, apo me 50 për qind të rritje të kostos së jetesës dhe 50 për qind të rritjes së pagës mesatare nga viti paraprak. Metodologjia e përllogaritjes së pagës minimale është miratuar në mars 2022, si një zgjidhje sistematike që parashikon rritje konstante të pagës minimale. /Koha/