Paga minimale në RMV as për mbijetesë!

    Mbi 80 mijë punëtorë në vend nga muaji prill do të pranojnë pagë minimale prej 20.175 denarë në vend se 18 mijë denarë. Njëherësh për vitin e ardhshëm parashikohet rritje edhe më e madhe se 2000 denarë e pagës minimale. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se çdo vit, në muajin mars paga minimale do të përshtatet sipas të dhënave të Entit shtetëror të statistikave, apo me 50 për qind të rritje të kostos së jetesës dhe 50 për qind të rritjes së pagës mesatare nga viti paraprak. Gjithashtu, me metodologjinë e përllogaritjes së pagës minimale, të miratuar në mars 2022, vendoset një zgjidhje sistematike që parashikon rritje konstante të pagës minimale. Njëherësh, kjo zgjidhje nuk do të varet nga vullneti politik, por është në përputhje me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare. Në ndërkohë, përfaqësuesit e sindikatave thonë se as rritja e pagës minimale nuk përmbush nevojat e punëtorëve.

    Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se pagat po e humbin garën për të arritur një jetesë më të bukur. Nga atje shtojnë se shporta e konsumit sindikal është 51 mijë denarë, që do të thotë se paga mesatare dhe minimale nuk plotësojnë minimumin për të mbijetuar një familje prej katër anëtarësh. Për më tepër, vendi ka një përqindje të madhe të ekonominë gri dhe administratë të mbi ngarkuar shtetërore.

    Sipas të dhënave për shportën e konsumit të sindikatës për muajin shkurt, më së shumti para ose 19.206 denarë janë shpenzuar për ushqim dhe pije, që nënkupton se paga minimale është e mjaftueshme vetëm për ushqim.

    Njëherësh nga shuma prej 50.799 denarë sa është vlera e shportës sindikale, 13.313 denarë nevojiten për shpenzime të përgjithshme. Për higjienë nevojiteshin minimum 3.097 denarë, për transport 3.668 denarë. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, thotë kjo rritje e pagës minimale është rezultat i kujdesit të Ekzekutivit për të gjitha kategoritë e qytetarëve.

    “Të sigurojmë një standard të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të jetesës dhe mbështetje për fuqinë blerëse të qytetarëve tanë. Kjo është e vetmja rrugë dhe mënyrë e drejtë për të siguruar drejtësi dhe drejtësi sociale edhe në kohë krize ekonomike globale të paraprirë nga kriza shëndetësore e shkaktuar nga pandemia. Sipas tij, deri në zgjedhjet e korrikut të vitit 2024, në bazë të metodologjisë së përcaktuar, do të ketë pagë minimale prej 23 mijë denarë. Struktura jonë e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me dy të tretat bazohet në konsumin privat dhe ata janë njerëzit me më shumë mjete që do të mund t’i shpenzojnë. Nuk mendoj se kjo do të nxisë inflacionin, përkundrazi, kjo do të rrisë rritjen e pagave në sektorin publik dhe privat dhe kjo sigurisht do të sjellë rritje të produktivitetit, thotë Bytyqi.

    Një pjesë e përfaqësuesve të punëtorëve kërkojnë rritje ndryshe të pagave të punëtorëve në vend. “Edhe rritja e pagës minimale as për së afërti nuk mund mbulojë harxhimet themelore të jetesës. Andaj ne angazhohemi dhe punojmë për konceptin e pagës së dinjitetshme për jetesës dhe jo për shportën sindikale konsumatore”, thotë Kristina Ampeva, nga organizata “Punëtoret e zëshme të tekstilit”.

    Nga kjo organizatë shtojnë se duhet të bisedohet se sa i nevojitet një familjeje prej katër anëtarësh për të pasur një jetë solide dhe të mos bëhet fjalë që ajo të mendohet se si do të kapërcejë muajin. Llogaritjet tona, të cilat po bëhen me partnerët evropianë, tregojnë se një familjeje i duhen të paktën 750 euro për të jetuar një jetë të denjë thonë nga organizata “Punëtoret e zëshme të tekstilit”.

    Me fjalë të tjera, angazhimet janë për të drejtat e punëtorëve për një jetë dinjitoze dhe një pagë për jetesë, në vend të retorikës së mëparshme për rritjen e pagës minimale. Sipas kritereve të pranuara ndërkombëtarisht, llogaritja e pagës së jetesës duhet të bazohet në kostot reale të një jete dinjitoze dhe të mbulojë nevojat bazë të punëtorëve dhe familjeve të tyre: ushqim, veshmbathje, strehim, transport publik, shpenzime komunale dhe telekomunikacion, arsim, etj. Kujdesin shëndetësor, kohën e lirë dhe kulturën, duke përfshirë të ardhurat diskrecionale, domethënë mundësi për të kursyer deri në 10 për qind të pagës. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dhjetë sëmundje shëndetësore që mund të shkaktojë shëndeti i keq oral

    Lajmi i rradhës

    Talat Xhaferi: Largimi i kazinove ishte zotim i BDI-së në zgjedhjet e fundit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë