Në shtatë tetë vitet e fundit po shënon ulje të madhe, interesimi për tu punësuar në administratën e shtetit. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e institucioneve përkatëse. Puna në shtet, nuk vijon të mbetet një mundësi e preferuar dhe që ngjall interes më të madh nga ana e të rinjve. Në vitin 2022 për një vend punë në administratë kanë konkurruar 9 kandidatë. Me fjalë tjera kështu po shënohet rënie rapide për më shumë se katër herë në raport me shtatë vitet më parë e orientimit të rinisë të punojë në punë shtetit. Të dhënat e Agjencisë së Administratës tregojnë se në vitin 2015 janë shpallur 216 shpallje publike për 1059 punësime. Për nevojat e organeve shtetërore janë publikuar 154 shpallje për 779 punësime, ndërsa për komunat dhe qytetin e Shkupit janë shpallur 62 shpallje për 280 punësime. Njëherësh në vitin 2015 deri tek Agjencia e Administratës janë dorëzuar dhe përpunuar 47740 shpallje për punësime në shpalljet publike apo në mesatare 45 paraqitje për një vend pune, shkruan gazeta Koha.
Nga ana tjetër, në vitin 2022 janë paraqitur afër 11 kandidatë për një vend pune. Sipas të dhënave të fundit të disponueshme, gati 1500 punonjës të ri janë angazhuar në administratë, prej tyre në pushtetin qendror janë punësuar 1048 dhe në pushtetin lokal 416 punonjës.
Për konkurset publike të punësimit të zbatuar kanë aplikuar gati 16.300 kandidatë, por të dhënat tregojnë se 60 për qind e aplikimeve të përpunuara kanë qenë të parregullta. Gjithashtu, në vitin 2022, nga institucionet shtetërore janë larguar 3722 persona – tregon raporti i Avokatit të Popullit. Numri i maqedonasve të punësuar është zvogëluar për 0,9 për qind, ndërsa për 0.8 për qind ka pasur më shumë shqiptarë në sektorin publik. Një trend tjetër që vërehet në periudhën e kaluar është se një pjesë e punonjësve të administratës të pakënaqur me pagat e tyre që janë larg mesatares prej 650 euro, po marrin tre muaj pushim pa pagesë gjatë verës për të shkuar në punë sezonale jashtë vendit. Të punësuarit në administratë ankohen për të ardhurat e ulëta mujore, andaj edhe shpesh marrin disa muaj pa pagesë për të punuar punë sezonale apo edhe ikin nga kjo punë.
Pothuajse nuk ka asnjë institucion shtetëror, ndërmarrje publike apo komunë ku të mos jenë firmosur vendimet për pushim pa pagesë të kërkuar nga punonjësit. Ata marrin tre muaj pushim pa pagesë, plus një muaj pushim të kombinuar të vjetër dhe të ri, në mënyrë që të mund të shkojnë jashtë vendit, kryesisht në bregdetin kroat dhe të punojnë në hotele dhe restorante gjatë sezonit të verës.
Njashtu, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon kthimin e shpenzimeve të ushqimit dhe transportit në vlerë prej 20 për qind të pagës mesatare dhe rritje të pagës minimale. të paktën 450 euro, në 100 ditët e para të qeverisjes së re, bëri të ditur kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov. Në periudhën e kaluar punonjësit në shtet kanë shprehur pakënaqësinë e tyre jo vetëm me të ardhurat mujore, por edhe me rritjen prej më shumë se 2000 euro të pagave të mbi 1000 zyrtarëve duke filluar nga deputetët, ministrat, gjykatësit dhe prokurorët, kryebashkiakët, drejtorët… “Kërkojmë rroga për jetë dinjitoze”, “Paga evropiane për ju dhe për ne” ishin pankartat që çuan punonjësit të cilët të organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Autoriteteve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve (UPOZ) ishin për të protestuar para Kuvendit.
Në protestë ishin punonjës të shërbimit gjyqësor dhe të prokurorisë publike, të Fondit të Shëndetësisë, nga Avokati i Popullit, Enti Shtetëror i Statistikave, Sekretariati për Çështje Evropiane, Inspektorati Shtetëror i Tregut, Administrata për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Film , si dhe administratorë nga ministritë e shoqërisë informatike dhe administratës, bujqësisë, transportit dhe lidhjeve, mjedisit dhe planifikimit hapësinor. Në arkën e shtetit është parashikuar rritje pagash në punë shteti me dhjetë për qind në shtator, por mbetet të shikohet se si do të jenë mundësitë e qeverisë së re për një rritje më të madhe deri në vitin e ri.