Pahor pret zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin

    Presidenti slloven, Borut Pahor, ka thënë se, përderisa nuk ekziston ndonjë alternativë për Asociacionin e komunave serbe, Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel.

    Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Prishtinë.

    “Kosova dhe Sllovenia kanë shumë këndvështrime të njëjta për çështjet problematike në botë, por kemi edhe dallime, dhe një prej tyre është për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Një nga marrëveshjet është për Asociacionin. Presidentes Osmani i kam thënë që, ndonëse mbështes Gjykatën Kushtetuese, pres të gjendet një zgjidhje për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Përderisa nuk ka propozime dhe alternativa, vlen marrëveshja e arritur më parë”.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

    Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

    Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

    Osmani, në anën tjetër, ka thënë se Kosova ka zbatuar 99 për qind të marrëveshjeve të arritura me Serbinë në Bruksel, por për çështjen e Asociacionit vlen vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

    “Ne nuk mund të krijojmë entitet mono-etnik, përderisa bazamenti në të cilin është ndërtuar Kushtetuta jonë është multi-etniciteti”.

    Sipas saj, Serbia ka shumë marrëveshje të pazbatuara.

    “Serbia në vitin 2013 ka nënshkruar obligimin që t’i zhbëjë të gjitha struktura ilegale, kriminale që i ka ndërtuar në Kosovë. Ajo, jo vetëm që nuk e ka bërë këtë, jo vetëm që nuk ia ka zhbërë këto struktura, udhëheqësit e të cilave janë në listën e zezë amerikane, por përkundrazi, vazhdon t’i fuqizojë, financojë dhe urdhërojë ato që ta destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin”.

    Sipas autoriteteve në Kosovë, Millan Radoiçiq, është një prej krerëve të strukturave ilegale në veri të Kosovës.

    Ai aktualisht është në arrati.

    Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, parti kryesore e serbëve në Kosovë.

    Radoiçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara nën dyshimet se, së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.

    Përgjatë konferencës, Osmani ka thënë se autoritetet në Kosovë kanë gatishmëri për vazhdim të dialogut me Serbinë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes përfundimtare, të bazuar në njohje reciproke.

    “Njohja reciproke duhet të bëhet në kufijtë aktualë të Kosovës, duke respektuar sovranitetin e vendit tonë dhe duke respektuar kushtetutshmërinë dhe funksionalitetin tonë të brendshëm”.

    Edhe Pahor ka bërë thirrje për dialog të sinqertë mes dy vendeve.

    Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

    “Serbia nuk mund të flasë për të drejtën ndërkombëtare”

    Të dy presidentët janë pyetur edhe për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se Sllovenia, sikurse edhe shtetet e tjera që e njohin Kosovën, ka shkelur integritetin territorial të Serbisë.

    Vuçiq i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me Pahorin ditë më parë në Beograd.

    “Serbia është shteti i fundit në botë, së bashku me Rusinë, që mund të na flasin për të drejtën ndërkombëtare. Një shtet që ka kryer gjenocid kundër fqinjëve të vet, nuk mund të flasë për të drejtën ndërkombëtare. Në momentin kur Serbia ka vendosur të kryejë gjenocid kur Bosnjës, kundër Kosovës, të kryejë krime të llahtarshme në ish-Jugosllavi, ka humbur çdo të drejtë ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.

    “Sllovenia dhe Serbia, kanë mendime të ndryshme sa i përket Kosovës, Ne e kemi pranuar është shtet, Serbia jo. Mendoj se ajo deklaratë është e papranueshme, tendencioze dhe ripërsëritje e dallimeve që ekzistojnë”, ka thënë Pahor.

    Pas deklaratave të presidentit serb, Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë ka ftuar në bisedë ambasadoren serbe, Zorana Vlatkoviq. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Xhaferi: Nuk ka kthim prapa nga integrimi europian i vendit

    Lajmi i rradhës

    Brishtësia e shtetit përballë sulmeve kibernetike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë