Paralajmërohen sanksione për kompanitë që kanë rritur çmimet

    Kompanitë që kanë rritur çmimet në ditët e fundit do të përballen me përgjigjen e duhur nga institucionet shtetërore, sepse sjellja e tyre në tre ditët e fundit është jokorrekte dhe e pamoralshme, tha zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koordinim të Resorëve Ekonomik dhe Investime në përgjigje të pyetjes së gazetarëve në lidhje me masat eventuale kundër rritjes së çmimeve.

    “Po ndjekim me vëmendje të veçantë se çfarë po ndodh këto tre ditë në tregun e lirë. Disa kompani sillen në mënyrë jokorrekte, joetike dhe imorale ndaj rritjes së çmimeve. Së shpejti do të  ketë përgjigje nga institucionet. Nuk mund të pranojmë që çmimi në 24 orë mund të rritet me 20 për qind kur çmimi i prodhimit nuk mund të rritet në 24 orë me 20 për qind. Mendoj se ky është vetëm një manipulim që ata i bëjnë qytetarëve tanë dhe për këtë sigurisht që shërbimet e inspektimit duhet të reagojnë siç duhet. Pres së shpejti një raport nga shërbimet inspektuese me masa për të gjithë ata që e kanë bërë këtë”, tha Bytyqi, i cili sot mori pjesë në hapjen e Panairit të Punësimit dhe Karrierës në selinë e Qendrës së Resurseve Rinore “I can” në Gostivar.

    Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, për masat kundër krizës theksoi se Qeveria ka siguruar mjete të caktuara me ribalancin, që sipas tij është rreth 73 milionë euro.

    “Tashmë jemi duke bërë të gjitha analizat, sapo të votohet ribalanci, mendoj se do të miratohen, por masat kundër krizës nuk do të jenë masa që të jenë të gjitha gjithëpërfshirëse. Ato duhet të targetohen për grupet specifike të synuara që janë më të rrezikuara dhe kompanitë që janë më të rrezikuara”, tha Bytyqi.

    Lajmi Paraprak

    Si të qëndroni të hidratuar në këto ditë të nxehta

    Lajmi i rradhës

    Si duhet të ndryshojë Bashkimi Europian

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë