Paralajmërohet ulje e inflacionit

    Në fillim të javës që vjen do të dalin shifrat e reja të inflacionit në vend. Nga Ministria e Ekonomisë thonë se do të ketë sërish ulje për muajin korrik. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave, indeksi i kostos së jetesës në qershor 2023, krahasuar me qershorin 2022, shënoi rritje prej 9.3%, dhe indeksi i çmimeve me pakicë shënoi rritje prej 5.7%. Por, Ministri Kreshnik Bekteshi tha se inflacionit një shifror do t’i paraprijnë edhe masat e reja eventuale që mund të zbatohen në vjeshtë.

    “Ministria e Ekonomisë me institucionet tjera, odat ekonomike dhe organizatat e konsumatorëve jemi duke dizajnuar masat e reja, të cila nëse ka nevojë do të vihen në funksion që nga muaji shtator ose nga fillimi i tetorit. Momentalisht po punohet në ato masa, janë duke u bërë propozime nga të gjitha palët e përfshira, kur të ketë pika konkrete resori ekonomik do ta informoj qeverinë, paralelisht edhe qytetarët”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

    Por, ekspertët ekonomik thonë se kjo nuk është arritje e masave të qeverisë, por e stabilizimit të bursave botërore. Profesori Abil Baush tha se nuk është për tu lavdëruar nëse inflacioni bie një shifror, duke qenë se ekonomia e vendit është dërrmuar dhe gjithashtu qytetarët po i vuajnë akoma pasojat.

    “Edhe nga parashikimet kemi cek se në tremujorin e tretë pritet që të bëhet inflacioni një shifrorë, kemi një zbutje të inflacionit por kjo nuk është vetëm nga masat e marra të cilat i ka ndërmarrë qeveria. Edhe Banka Qendrore disa herë ka bërë intervenime në politikën monetare, në atë që e rriste çmimin e interesit referent të kredive. Edhe çmimi i derivateve të naftës dhe energjisë elektrike në bursat botërore arrin të vijmë në një situatë ku kemi zbritje të inflacionit, por kjo do të thotë se ne jemi ende në fazën e ekonomisë rikuperuese. Nuk mund të themi se e kemi rikuperuar ekonominë”, tha Abil Baush, Profesor Ekonomist.

    Në krahasim me vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut është e parafundit në normën e inflacionit, pas nesh me inflacion më të lartë është vetëm Serbia. Ndërsa Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi kanë normë më të ulët të inflacionit. Një nga shembujt e fqinjit të Shqipërisë është edhe përforcimi monetar i Lekut, ku një 1 euro është këmbyer me 100 lekë shqiptare, duke kontribuar në rritjen e brendshme ekonomike. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Beteja me dezinformatat ruse në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Pushteti, thirrje opozitës për ndryshimet kushtetuese

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë