Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari ka parashtruar ankesë pranë Komisionit të Pavarur për Media, kundër emisionit Big Brother dhe Klan Kosova, shkruan Nistori.
Kjo ankesë ka ardhur si shkak i situatës kontroverse që ka ndodhur mbrëmë në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3, ku Atilla Kardesh, ish-bashkëshorti i modeles dhe këngëtares së njohur Drenusha Latifi, ka hyrë si banor. Drenusha Latifi është një nga konkurrentet në këtë edicion dhe e njëjta e ka akuzuar publikisht ish-bashkëshortin e saj për dhunë.
“Liria e shprehjes dhe liria e medias nuk janë absolute. Këto të drejta dhe liri vijnë me përgjegjësi dhe është përgjegjësi e televizionit Klan Kosova, që këto të drejta t’i ushtrojë duke transmetuar materiale në pajtim me normat etike dhe ligjore. Vendimi i emisionit Big Brother për t’i ofruar hapësirë një dhunuesi dhe promovimi i tij në një emision me shikueshmëri të madhe është abuzim me lirinë e medias dhe të shprehjes. Kërkova nga ana e Komisionit të Pavarur për Media që të shqiptojë gjobën më të lartë financiare ndaj televizionit Klan Kosova për shkelje të nënit 3 të Kodit të Etikës së për ofruesit e shërbimeve mediale në Republikën e Kosovës nr. KKPM-2016/03. Ky do të jetë një rast kyç (landmark case) për Komisionin e Pavarur për Media dhe precedent në fushën e mbrojtjes së grave nga ky institucion”, shkruan Kusari në Facebook.
Pas kësaj kanë reaguar organizatat, si Rrjeti i Grave të Kosovës, organizata QIKA dhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
“Rrjeti i Grave të Kosovës shpreh shqetësimin për promovimin publik të personave të dyshuar për dhunë me bazë gjinore, siç u pa mbrëmë në televizionin Klan Kosova. Ajo që ka ndodhur mbrëmë në një show në Klan Kosova, është e papranueshme dhe bie ndesh me përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar dhunën me bazë gjinore, një fenomen i përhapur që cenon mirëqenien e grave dhe vajzave në shoqërinë tonë”, thuhet në reagimin e RrGK-së.
Sipas tyre, të promovohen figura të përfshira në raste të tilla nuk është vetëm e papërgjegjshme, por dërgon një mesazh të rrezikshëm se dhuna ndaj grave mund të tolerohet apo të minimizohet.
“Bëjmë thirrje që mediat të marrin përgjegjësinë për të reflektuar seriozitetin që e ka ky problem dhe të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit. Dhuna me bazë gjinore duhet të dënohet pa asnjë hezitim dhe duhet të luftohet me vendosmëri nga të gjithë në çdo mënyrë që munden – për një shoqëri më të drejtë dhe të sigurt për të gjithë”, thuhet tutje në reagim.
Për rastin kanë reaguar edhe nga organizata QIKA në një postim në Facebook.
“Nuk mund ta normalizoni dhunën ndaj grave!”, thuhet në postimin e tyre. /Nistori/