Parkingje edhe në fshatrat malorë të Dibrës!

    Fshatrat malor të Komunës Dibër, ku pjesa dërmuese e popullatës gjendet në mërgim, me vite ballafaqoheshin me problemin e parkimit të automjeteve. Vendbanimet rurale deri tani nuk ka patur parkingje dhe shpesh ka ndodhur që automjetet ti parkojnë disa qindra metra larg shtëpive të tyre. Ashtu ka qenë edhe në fshatin malor Kosovrasti i Epërm, i cili gjendet në një lartësi mbidetare prej 1040 metra.

    Megjithatë, këto ditë ka përfunduar edhe ndërtimi i parkingut të fshatit, i cili de fakto është edhe parkingu i parë që ndërtohet në një vendbanim rural. Është një fshat me mbi 600 banorë, dhe pushteti vendor me fonde të buxhetit qendror dhe me pjesëmarrje edhe të buxhetit komunal po realizon projektin për ndërtimin e parkingjeve në fshatrat rurale.

    Kjo hapësirë e fshatit është sidomos e mirëseardhur edhe për mërgimtarër, të cilët vijnë nga kurbeti gjatë sezonit veror dhe festave të fundvitit me automjetet e tyre në vendlindje.

    Sipas kryetarit të Komunës Dibër, Hekuran Duka, bëhet fjalë për një projekt në sferën e infrastrukturës që ka qenë shumë i nevojshëm për banorët të këtij fshati.

    “Edhe një premtim infrastrukturor që realizuam në fshatin malor – Kosovrast i Epërm. Si asnjëherë më parë, parkingu për banorët e fshatit u bë realitet, me projektin e Komunës së Dibrës i cili u mbuluar financiarisht nga buxheti qendror dhe me pjesëmarrje nga buxheti i Komunës së Dibrës. Ishte nevojë e kohës që ky projekt të realizohet, me qëllim që të përmirësohet jetesa e banorëve të këtij fshati. Së shpejti do të vazhdojmë të investojmë në sferën e infrastrukturës edhe në vendbanimet tjera rurale”, tha Duka.

    Në bisedë me banorët të fshatit u informuam se tanimë disa dekada ka patur premtime për ndërtimin e një parking, por ky aktivitet u realizua këtë vit. Anëtarët e Bashkësisë Vendore të fshatit, kanë vlerësuar se projekti është kapital për ata meqë për shkak të mungesës së parkingut, probleme për arritjen në fshat kanë patur Ndihma e Shpejtë, por edhe shkolla fillore e fshatit. Duhet përmendur edhe faktin se mungesa e parking faktikisht pati bllokuar edhe funksionimin e rrjetit tregtar. Me ndërtimin e parkingut tanimë është lehtësuar edhe transporti i udhëtarëve me furgone meqë fshatarët kanë siguruar një transport të rregullt e sidomos vlen shumë për ata fshatarë që punojnë në fshatrat përreth dhe në qytetin e Dibrës.

    Pushteti vendor ka paralajmëruar edhe disa projekte të tjera në vendbanimet rurale gjatë fillimit të vitit 2025, edhe atë ndërtimin e rrugëve dhe ujësjellësve. Mungesa e infrastrukturës gjatë të kaluarës ka stimuluar edhe mërgimin e të rinjve nga ky fshat drejt Italisë, Gjermanisë, Zvicrës, shteteve të Beneluksit dhe atyre Skandinave. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Qeverisje me duar jo edhe aq të pastra

    Lajmi i rradhës

    RMV E DYTA ME RYSHFET

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë