Shoqëria e RMV-së është e zhytur në korrupsion, “lista e zezë” mund të zgjerohet nga ShBA

    Shoqëria e Maqedonisë së Veriut është e zhytur në korrupsion dhe për këtë arsye “lista e zezë” amerikane mund të zgjerohet me njerëz nga gjyqësori, thonë njohësit e proceseve politike, pasi administrata aktuale amerikane njoftoi se do të përdorë sanksionet si një mjet të rëndësishëm kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.

    Prokurorja nga Bosnja, Dijana Kajmakoviq, është ndër zyrtarët e fundit nga rajoni që u gjendën në listën e sanksioneve të SHBA-së. Në këtë drejtim, ekspertët konsiderojnë se në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia që në listë të futen edhe persona të tjerë nga rajoni, mes tyre edhe nga gjyqësori maqedonas.

    Si një nga problemet kryesore në vendet e Ballkanit Perëndimor, korrupsioni ndikon ndjeshëm në stabilitetin e tyre dhe integrimin evropian. Kështu thuhet në disa hulumtime të pavarura të institucioneve ndërkombëtare. Në ceremoninë e ditë më parë në Departamentin e Shtetit, Angela Price Ageler ka bërë betimin si ambasadorja e re e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut. Ajo tha në seancën dëgjimore të Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit se do të punojë “për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut të zhvillojë një strategji kombëtare që në mënyrë efektive do t’ju kërkohet përgjegjësi aktorëve të korruptuar”. Më herët, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price informoi gjithashtu autoritetet në Ballkanin Perëndimor se SHBA do të përdorë sanksionet si një mjet të rëndësishëm për të çrrënjosur korrupsionin. Ai tha se synimi i Shteteve të Bashkuara është të punojnë së bashku me qeveritë e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër korrupsionit.

    “Sanksionet do të mbeten mjet i rëndësishëm, por jo edhe mjet i vetëm kur bëhet fjalë për rajonin dhe qëllimin tonë. Ne e shpërndajmë këtë qëllim me qeveritë dhe qytetarët e këtij rajoni, e kjo është çrrënjosja e korrupsionit”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të shtetit Ned Price.

    Njoftimet nga SHBA se do të synojnë çrrënjosjen e korrupsionit mund të kenë pasoja politike edhe në qeverinë aktuale, thonë ekspertët. Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” thotë se qasja e SHBA-së në këtë fushë është domethënëse dhe me ndikim. Troshanovski thekson hulumtimet e fundit që tregojnë rritje të ndjeshme të korrupsionit në Maqedoninë e Veriut dhe sipas tij janë të mirëseardhura të gjitha masat për të asgjësuar, dekurajuar apo sanksionuar praktikat korruptive.

    “Ka përparim në luftën kundër korrupsionit në gjykata përmes proceseve që u hapën, para se gjithash për disa gjykatës. Por, para se gjithash duhet të hulumtohet prona e gjykatësve që u paralajmërua para shumë kohësh dhe nuk është zbatuar dhe gjithë ata për të cilët vërtetohet se janë pasuruar ndjeshëm nga funksioni i gjykatësit, natyrisht se duhet të sanksionohen që të kthehet besimi i njerëzve në këto institucione”, thotë Troshanovski.

    Kajmakoviq ishte i fundit në një seri zyrtarësh nga vendet e Ballkanit Perëndimor që u sanksionua nga SHBA, pasi SHBA vendosi sanksione ndaj shtatë personave që tha se ishin të përfshirë në korrupsion në prill të këtij viti. Mes tyre, dy shtetas të Shqipërisë, dy zyrtarë nga Bosnja, një nga Mali i Zi. Nga Maqedonia e Veriut, në listën e zezë janë futur ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski dhe ish-kreu i DSK-së Sasho Mijalkov. Edhe në dhjetor 2021, Departamenti i Thesarit i SHBA-së sanksionoi shtatë serbë të Kosovës për përfshirje në krimin e organizuar dhe korrupsion. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Mllefin ndaj shtrenjtimve, njerëzit e shprehin vetëm në rrjetet sociale

    Lajmi i rradhës

    Nxjerret i vdekur kumanovari i aksidentuar në lumin Vardar të Zhelinës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë