Parlamenti Europian: Rezolutë për sulmin në Banjska

    Parlamenti Europian miratoi një rezolutë ku dënon ashpër sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, në fshatin Banjska, dhe kërkon përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë.

    Eurodeputetët kritikuan ashpër politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe e cilësojnë atë “të rrezikshme.” Rezoluta në fjalë thekson se autorë të sulmit terrorist janë “para ushtarakë serbë të mirëorganizuar në Banjska.”

    Rezoluta e Parlamentit Evropian u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë dënuar sulmin e 24 shtatorit ta dënojnë atë.

    Ajo thekson që “marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun Serbi-Kosovë. Kjo marrveshje duhet të hyjë në fuqi më së voni më 1 janar 2024.”

    Përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë

    Rezoluta e Parlamentit Evropian i bën thirrje Bashkimit Evropian të mbështesë hetimin nga autoritetet kosovare me mbështetjen e EULEX-it për të zbuluar të gjitha provat. Eurodeputetët i kërkojnë Serbisëtë bashkëpunojë plotësisht me hetimet dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit.

    “Ata janë duke banuar në Serbi dhe në përputhje me ligjin duhet të ekstradohen në Kosovë,” vë në dukje rezoluta.

    Parlamenti Evropian në rezolutën e sapomiratuar i bën gjithashtu thirrje Serbisë “të përmbahet nga çdo përshkallëzim i mëtejshëm që cënon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të parandalojë çdo kontrabandë të armëve përtej kufirit.”

    Rezoluta e quan shkaktare “të rritjes së tensioneve politike në rajon mbajtjen e një dite zie kombëtare për të nderuar tre terroristët e vdekur serbë dhe portretizimin e tyre si heronj që luftuan për kauzën e serbeve.”

    Rekomandim për masa kundër Serbisë

    Rezoluta thekson se Komisioni dhe Këshilli Evropian duhet të marrin masa ndaj Serbisë në varësi të rezultateve të hetimeve dhe nga zbulimi i përfshirjes së shtetit serb drejtpërdrejt në sulmin terrorist të Banjskës apo në sulmet e dhunshme në veri të Kosovës në maj 2023.

    “Nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë plotësisht atëhere Komisioni Europian të ngrijë fondet e dhëna Serbisë sipas Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit III.”

    Parlamenti Evropian i bën thirrje në këtë rezolutë edhe Këshillit Evropian të miratojë “masa të synuara kufizuese, duke përfshirë, por pa u kufizuar, ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit, kundër aktorëve destabilizues në veri të Kosovës dhe liderëve të rrjeteve kryesore të krimit të organizuar.”

    Rezoluta i bën thirrje Këshillit Evropian të „ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendosë masa të synuara kundër Milan Radoiçiq-it.

    Europarlamentarët shprehin në rezolutë keqardhjen që gjykata e Beogradit refuzoi thirrjen e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Beogradit për ndalimin e Milan Radoiçiq-it për shkak të rrezikut të arratisjes së tij, duke pasur parasysh se Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit 2023.

    Bisnesmeni dhe politikani serb, Milan Radoiçiq, dyshohet se ka qenë i përfshirë në krimin e organizuar dhe në sulmin në Banjska.

    KFOR-i të ketë plan kontrolli në veri ë Kosovës

    Parlamenti Evropian në rezolutën kushtuar sulmit terrorist serb në veri të Kosovës i bën thirrje KFOR-it që në këtë plan “të përfshijë elementë të fuqishëm që mund të veprojnë si pengues ndaj përshkallëzimit të mëtejshëm të tenioneve.”

    Rezoluta u kërkon shteteve anëtare të BE, “të vendosin trupa shtesë në veri të Kosovës dhe NATO-s të sigurojë që KFOR-i të ketë aftësitë e duhura për të monitoruar nga afër të gjithë veriun e Kosovës, kryer mbikëqyrje të vazhdueshme të rajonit dhe siguruar që çdo inkursion paraushtarak, sulm,veprim apo tentativë për rrëmbim të oficerëve kosovarë të zbatimit të ligjit të zbulohet menjëherë.”

    Normalizim i marrëdhënieve Serbi-Kosovë

    Për arritjen e këtij synimi rezoluta e PE u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të marrin pjesë në dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE “në mirëbesim dhe frymën e kompromisit për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre pa vonesa të mëtejshme, bazuar në parimin e ndërsjellë. njohjen dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.” Në rezolutë theksohet se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve „është thelbësor për përparimin e tyre drejt anëtarësimit në BE.

    “Dështimi për të vepruar në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për normalizimin e marrëdhënieve do të ketë pasoja për anëtarësimin e Serbisë dhe të Kosovës në BE.”

    Parlamenti Evropian i bën thirrje BE të ndërmarrë „veprime në kuadrin e asistencës së para-anëtarësimit kundër atyre që nuk respektojnë marrëveshjet.”

    Fjala është për Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit dhe Marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit, të dyja të arritura këtë vit edhe “pse Serbia ka refuzuar t’i nënshkruajë ato,” thekson rezoluta e PE.

    Në të i bëhet thirrje Kosovës të themelojë Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe “pa vonesa të mëtejshme.

    Rezoluta e Parlamentit Evropian përfundon me dënimin e përpjekjeve të vazhdueshme ruse për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Serbi dhe Kosovë duke shfrytëzuar ndarjet kulturore, etnike dhe fetare, destabilizuar forcat pro-demokratike” Ajo bën thirrje për një sqarim të plotë të rolit të mundshëm të Rusisë në sulmin që ndodhi në Banjska. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Gabimet që bëni kur sëmureni me grip – Këshillat e duhura

    Lajmi i rradhës

    Disa nga dështimet më të mëdha – imazhe që janë shkrepur në vende të ndryshme të botës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë