Partia “Vazhdojmë me ndryshimin”, më e votuara në Bullgari

    Partia relativisht e re në Bullgari “Vazhdojmë me ndryshimin” e politikanëve të rinj Kirill Petkov dhe Asen Vasilev rezulton të jetë më e votuara në zgjedhjet e treta me radhë brenda shtatë muajsh. Ky rezultat ishte shumë më i lartë nga ai që pritej. Nga votat e përpunuara, “Vazhdojmë me ndryshime” ka fituar rreth 26% kurse partia GERM e ish kryeministrit Bojko Borisov afër 22%. Sipas mediave bullgare, mundësitë që Borisov të formojë Qeveri janë shumë të ulëta kurse gjasat që mandatin për formimin e Qeverisë ta marrë Kirill Petkov janë të larta. Petkov ishte deklaruar për grupe pune mes Shkupit dhe Sofjes ku do të diskutohej jo vetëm për historinë por edhe për gjithçka që mund të përmirësojë marrëdhëniet fqinjësore mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

    Për ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, rezultatet zgjedhore dhe deklaratat nga Bullgaria janë inkurajuese.

    “Është inkurajuese që qeveria eventuale e re në Bullgari thotë se na duhet qasje e re. Ne do ta kemi frymën e re të marrëdhënieve të mira fqinjësore duke qenë të hapur, me dëshirën e njëjtë që të gjejmë zgjidhje dhe të ecim përpara. Mendoj se nëse gjysma e kësaj fryme është edhe nga ana tjetër, siç e shohim këto ditë, është e mundur të shohim edhe kthesë”, deklaroi Radmilla Shekerinska, ministre e Mbrojtjes.

    E ndërkohë në Bruksel, në takimin dyditor të ministrave të Jashtëm, ministri Bujar Osmani takoi kolegun e tij bullgar Svetllan Stoev. “Deri në mbajtjen e takimeve kryesore të BE-së në dhjetor, presim që kontaktet të intensifikohen përmes formave ekzistuese të takimeve për të gjetur zgjidhjet më të mira në interes të arritjes së hapave të mëtejshëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, shkruan Osmani pas takimit me Stoev.

    Komisioneri për zgjerim Oliver Varheji ka deklaruar se takimi i sotëm i ministrave të Jashtëm është i rëndësishëm edhe për aspektin e zgjerimit.

    “Ne, sigurisht, duhet të lëvizim përpara me politikën e zgjerimit që është mjeti jonë më i fuqishëm dhe për këtë arsye pas zgjedhjeve në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, ne shpresojmë të shohim progres të shpejtë konkret. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të fillojmë punën shumë shpejtë dhe të finalizojmë çështjen e mbetur pezull të konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë gjatë këtij viti”, tha Oliver Varheji, komisioner i Bashkimit Evropian për zgjerim.

    Edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme Xhozef Borell ka shkruar për takimin me Osmanin në Bruksel. “Maqedonia e Veriut është ankoruar fortë në rrugën drejt BE-së. Pozita jonë mbetet e pandryshuar, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë arritje dhe ne presim të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare sa më shpejt që është e mundur”, shkruan Borell. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    Kryeministrja e Serbisë e fton Kosovën t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”

    Lajmi i rradhës

    Gërliq Radman: Rrezikohet demokracia e Ballkanit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë