Partitë që sot i fillojnë takimet me qytetarët: BDI-ja në Gostivar, VMRO-DPMNE-ja në Ohër, LSDM-ja në Manastir, Besa në Shkup dhe ASH-AAA-ja në Çair

    Sot në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 të caktuara për më 17 tetor dhe do të zgjasë 20 ditë para ditës së zgjedhjeve, gjegjësisht fushata përfundon më 15 tetor në mesnatë, njofton Nistori.

    Nga VMRO-DPMNE thonë se ata edhe kësaj here aktivitetet e tyre zgjedhore do t’i fillojnë në mënyrë tradicionale nga Ohri.

    “Absolutisht VMRO-DPMNE do të jetë aktive në terren gjatë kohës së periudhës së fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2021. Fushata në mënyrë tradicionale fillon nesër në Ohër me atë që absolutisht do të vizitohen të gjithë vendet, janë paraparë shumë takime me qytetarët”, shprehet Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.

    Kreshnik Bekteshi nga selia e BDI-së në Shkup ka njoftuar se kjo parti fushatën për zgjedhjet lokale të 17 tetorit do ta fillojë në Gostivar.

    Në këtë komunë do të përfundojë të njëjtën me tubim.

    “Fushatën për zgjedhjet lokale ditën e hënë nga Gostivari, sepse kemi dëgjuar zërin e qytetarëve të Gostivarit të cilët zëshëm kërkojnë ndryshim”, tha Bekteshi.

    LSDM fushatën do ta fillojë nga qyteti i Manastirit, me anë të një tubimi qendror që do të fillojë në ora 20:00. Nga LSDM njoftojnë se fushatën do ta përmbyllin më 15 tetor, në Kumanovë.

    “Nesër në mbrëmje fillojmë në Manastir. Për karvanin me lokacionet e sakta në mënyrë shtesë do të dërgojmë kumtesë”, thanë dje nga LSDM.

    Lëvizja Besa fushatën sot e fillon në Shkup, ndërsa do ta përfundojnë në Tetovë.

    “Fushatën e fillojmë nesër në të hapur pranë sallës Boris Trajkovski në orën 19, ndërsa e përmbyllim në Tetovë më 15 tetor në sheshin Iliria. Kryetari i partisë është kandidat për kryetarë i komunës së Tetovës, nënkryetari Fadil Zendeli është kandidat për kryetarë i komunës së Gostivarit ndërsa nënkryetari tjetër Kastriot Rexhepi është kandidat në komunën e Çairit”, njoftoi Arjanit Hoxha nga Besa.

    Ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa fushatën do ta fillojnë sot nga Çairi. Tubimi do të fillojë në ora 19. Fushatën ky koalicion do ta përfundojë në Tetovë. Poashtu edhe Partia Demokratike Shqiptare thonë për Nistori se fushata e partisë do të fillojë nga Tetova. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Si të kujdeseni për dhomën e gjumit nëse vuani nga alergjitë?

    Lajmi i rradhës

    Përfitimet shëndetsore nga tingujt e natyrës?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë