Pas një periudhe të gjatë, Leshnica bëhet me shkollë të re (Video)

    Objekti i ri i shkollës fillore “Luigj Gurakuqi” në fshatin Leshnicë, Komuna e Zhelinës / Fotografia: Nistori

    Sot në fshatin Leshnicë të Poshtme është përuruar objekti i ri i shkollës fillore “Luigj Gurakuqi”. Kjo shkollë pas një periudhe të gjatë do të jetë më në funksion dhe nxënësit nuk do të kenë nevojë të mësojnë në mektebin e xhamisë apo të udhëtojnë në fshatin Zhelinë për të ndjekur mësimet. Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu para medias tha se hapja e shkollës bëhet poashtu në vigjilje të 26-vjetorit të konstituimit të Këshillit të parë të komunës. Kushtet e shkollës i përmbushin nevojat e nxënësve dhe stafit arsimor, shkruan Nistori.

    “Bashkë me Ministrinë e Arsimit arritëm që përfundimisht të bëjmë realitet ndërtimin e shkollës në fshatin Leshnicë. Diku rreth 50 nxënës është e paraparë që të mësojnë në këtë shkollë. Investimet në këtë shkollë nuk do të jenë vetëm me kaq. Poqë se paraqitet nevoja e zgjerimit, ka mundësi të ndodhin inervenime edhe në të ardhmen. Pra, ato kushte që janë të nevojshme për mirëmbajtjen e procesit edukativo-arsimor, kjo shkollë i ka të gjitha dhe është e gatshme për mbarëvajtjen e këtij procesi.” – deklaroi Sejdiu para medias.

    I pyetur nga Nistori pse kaq shumë është vonuar ndërtimi i objektit të ri të shkollës, duke marrë parasysh se një pjesë e nxënësve kanë shpenzuar çdo ditë mjete për të ndjekur mësimet në fshatin Zhelinë, ndërsa ata të ciklit të ulët janë detyruar të mësojnë në mektebin e xhamisë së fshatit Leshnicë. Sejdiu thotë se projekti ka qenë i ndërlidhur me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe procedurat nuk ka qenë vetëm në duart e njërit institucion.

    “Ky projekt ka qenë i ndërlidhur me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe nuk vareshte vetëm prej neve. Normalisht derisa përfunduan edhe prokurorimet dhe të tjera furnizime nga MASh. Me rëndësi është që sot u lëshua në përdorim kjo shkollë.” – tha ndër të tjera Sejdiu.

    Edhe drejtori i shkollës, Liman Xhaferi tha se objekti i vjetër ka qenë i dëmshëm për shëndetin e nxënësit dhe nevoja për një objekt të ri ka qenë e domosdoshme.

    “Falënderojmë Komunën e Zhelinës, Ministrinë e Arsimit, e cila na mundësoi që sot të kemi një shkollë të re, me standarde europiane. I plotëson kushtet për nxënësit që i kemi këtu. Shkolla është plotësisht e gatshme, nxënësit mësimin tani e tutje do ta mbajnë në këtë shkollë të re. Ka tre klasa, ka zyrë për arsimtarët dhe vend apostafat për nxemje, tualete moderne.” – tha drejtori i shkollës, Xhaferi

    Ndryshe, fshati Leshnicë prej vitesh është përballur me kushtet e këqija të shkollës, në vend që të flasim për një objekt të ri. Përpara dy vitesh, shkolla e këtij fshati, një shkollë e një ndërtimi të vjetër prej druri, u rrënua dhe në vend të saj filloi ndërtimi i një objekti të ri, por jo në kohë të duhur. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Në kazinot e Gostivarit vënë bast edhe të miturit

    Lajmi i rradhës

    KRIZA EKONOMIKE | Pensionistët kërkojnë rritjen e pensioneve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë