Pas të rinjve, po ikin edhe pleqtë e Dibrës!

    Shumë prindër nga Dibra, por edhe nga komuna rurale Qendër Zhupë, kohëve të fundit po kërkojnë bashkim familjar me fëmijët e tyre që jetojnë në shtetet e Evropës. Kjo dukuri sidomos ka nis me të madhe në Gjermani dhe Itali, ku para shumë viteve kanë migruar dhe kanë fituar dokumentet banorë nga Dibra dhe rajoni.

    Vetëm gjatë muajve të fundit të këtij viti, dhjetëra prindër kanë marrë rrugën në drejtim të shteteve të BE-së dhe kanë dorëzuar kërkesa tek institucionet të atjeshme për bashkim familjar me fëmijët që jetojnë atje. Është një e drejtë e cila nga një pjesë e prindërve është përfituar e ata thonë se jo vetëm vetmia, por edhe mbijetesa, i ka detyruar ata të kërkojnë bashkim familjar.

    Në Gjermani dhe Itali mijëra dibranë dhe banorë të Qendër Zhupës. Një pjesë e madhe e tyre kanë dokumente, por edhe shtetësi të këtyre vendeve, situatë e cila favorizon edhe të drejtën për të marrë dokumente për prindërit e tyre. Problemi për marrjen e së drejtës për bashkim familjar është më i madh për në Gjermani, ku mundet të merret shtetësi vetëm nëse braktiset shtetësia e Maqedonisë së Veriut.

    Ferit. F., i cili ka dy fëmijë me familjet e tyre në Gjermani thotë se pret shumë shpejt të përfitojë bashkimin familjar. Sipas tij, do të braktis Dibrën meqë ai dhe bashkëshortja e tij jetojnë me ndihmë sociale prej vetëm 7000 denarë. “Problem është se si të mbijetoni me këto para”, tregon Feriti. Rreth bashkimit familjar, ka dhjetëra dibranë, por edhe banorë të Qendër Zhupës që kërkojnë bashkim familjar në Itali. Në pjesën veriore të Italisë, kryesisht në Veneto, ku punon dhe jeton një numër i madh i mërgimtarëve nga Dibra dhe Zhupa, një numër i theksuar i prindërve të fëmijëve të tyre veçmë kanë përfituar të drejtën e bashkimit familjar.

    Shoqatat e mërgimtarëve që veprojnë në Itali thonë se nga muaji në muaj, ka një rritje të numrit të prindërve që kërkojnë këtë të drejtë, e që në Itali po praktikohetme të madhe. Sipas burimeve të njëjta, prindërit u bashkohen familjeve të fëmijëve dhe atje përfitojnë edhe ndihmë sociale e cila arin 450 euro.

    Vebi. B. nga një fshat i Komunës Qendër Zhupës na tregon se disa herë ka qenë dhe ka dorëzuar dokumentet në Itali në qytetin Basano Del Grapa dhe aktualisht pret që këtë të drejtë ta përfitojë këto ditë, para se të kalojë viti kalendarik. “Atje kam vajzën dhe ajo më bëri dokumentet”, tregon Vebiu, ndërsa shton se në qytetet Trevizo, Basano, Bolzano, Venecia, Trieshte e qytete dhe fshatra të tjera, jetojnë një numër shumë i madh i mërgimtarëve nga rajoni i Dibrës dhe ma gjerë. Madje thotë se jo vetëm të rinjtë, por edhe pleqtë tanimë kanë ikur.

    “Atje kam qenë disa herë dhe jam i kënaqur nga jeta atje. Besoj se do ta kemi më lehtë atje që të mbijetojmë ne si prindër në moshë. Pikërisht për këtë shkak është në rritje numri i prindërve që kërkojnë bashkim familjar për në shtetet e Evropës”, shton Vebiu.

    “Rritja e varfërisë, por edhe e vetmisë në vendlindje, ka shkaktuar një “termet të madh” kur është në pyetje familja. Të rinjtë vazhdojnë të migrojnë jo vetëm nëpër shtetet e BE-së, por edhe në ShBA.

    Dibra dhe rajoni po boshatisen, dhe një pjesë e familjeve marrin rrugën e migrimit edhe për të mbijetuar”, thonë shoqatat qytetare në Dibër, por edhe shoqatat e mërgimtarëve që veprojnë nëpër shtetet e BE-së. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Joseph: Marrëveshja e Ohrit, e vetmja e ardhme për të ruajtur trashëgiminë e maqedonasve dhe shqiptarëve

    Lajmi i rradhës

    Mërgimtarët na mbajnë gjallë! (Tabela)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë